Ballina Bota Macron thirrje Izraelit: Mjaft vratë foshnjat dhe gratë në Gaza!

    Macron thirrje Izraelit: Mjaft vratë foshnjat dhe gratë në Gaza!

    4

    Emmanuel Macron i kërkoi Izraelit të ndalojë bombardimet që vrasin civilët në Gaza në një intervistë me BBC të transmetuar të premten.

    “Ne ndajmë dhimbjen dhe ndajmë vullnetin  për të hequr qafe terrorizmin, pasi ne e dimë se çfarë do të thotë terrorizëm në Francë. Por, “de fakto” sot, janë civilët ata që bombardohen. Foshnjat, gratë, pleqtë bombardohen dhe vriten. Dhe për këtë nuk ka justifikim. Për këtë arsye ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë”, tha ai.

    Ministria e Shëndetësisë e Hamasit njoftoi se 11,078 njerëz, përfshirë 4,506 fëmijë, janë vrarë në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor, i shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i lëvizjes islamike palestineze në territorin izraelit.

    “Reagimi në kuadër të luftës kundër terrorizmit, sepse kryhet nga një demokraci, duhet të jetë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të luftës dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare”, u shpreh presidenti i Francës.

    I pyetur nëse e drejta ndërkombëtare po shkelet nga Izraeli, Emmanuel Macron u përgjigj se ai “nuk është gjykatës”, por “kre shteti”.

    Ai tha gjithashtu se ishte i shqetësuar se “bombardimet masive” të Rripit të Gazës po shkaktonin ” neveri dhe ndjenja të këqija” në rajon.