Ballina Vendi Lulzim Hoxhaj i kthyer pas më shumë se një dekade në emigrim,...

Lulzim Hoxhaj i kthyer pas më shumë se një dekade në emigrim, sot ka në funksion fabrikën e përpunimit të qumështit “Luli Farm” në Portëz.

8

Janë të shumta rastet kur djemtë dhe vajzat e Myzeqesë kanë lënë emigrimin dhe i janë kthyer investimeve në vendlindjen e tyre. Ata e kanë grumbulluar eksperiencën disa vjeçare në vendet ku kanë emigruar dhe me të ardhurat e viteve janë fokusuar në shfrytëzimin e potencialeve ekonomike që ju ofron pikërisht vendlindja e tyre në drejtim të ngritjes së fermave bujqësore dhe blegtorale, në agropërpunime apo dhe shërbime për komunitetit si biznese fasone apo dhe natyra të tjera.

Më së shumti investimet e emigrantëve janë fokusuar në bizneset bujqësore të prodhimit dhe tregtimit të domateve, kastravecëve, luleshtrydheve e tek kivi me risi në këtë drejtim, por edhe në atë të përpunimit. Një shembull i tillë i kthimit nga emigrimi dhe investimi në vendlindje është edhe ajo e Lulzim Hoxhaj i cili u kthye pas më shumë se një dekade në emigrim dhe sot ka në funksion fabrikën e përpunimit të qumështit “Luli Farm” në Portëz.

Ndërmarrja e tij nga fillimi modest në ditët e sotme ka njohur zhvillim, rritje dhe një bilanc pozitiv duke kaluar nga tregu vendas ai i Fierit edhe drejt Tiranës e Durrësit. Sot në këtë fabrikë përpunohen rreth 2 ton qumësht në ditë duke kryer jo vetëm prodhimin e djathit shumë të kërkuar të quajtur “Feta” nga eksperienca që ai ka fituar gjatë viteve të emigrimit të tij në Greqi, por realizohet prodhimi i të gjitha nënprodukteve të qumështit që nga gjiza, xaxiqi, gjalpi e salca e kosit.

Kjo është një periudhë e mirë për të pasur një kapacitet të lartë të përpunimit të qumështit të deles që rrjedh dhe nga procesi i ndarjes së të vegjëlve nga nëna që ushqehen me qumësht. Aktualisht në këtë fabrikë kryhet një cikël i mbyllur i përpunimit të qumështit me një teknologji bashkëkohore dhe që i përgjigjet standardeve bashkëkohore.

Këto investime kanë dhe vlera të tjera pasi përveç qarkullimit të kapitalit brenda vendit krijohen kushte të mirë dhe për punësime afatgjata duke përmirësuar kështu dhe jetën e banorëve. Në këtë fabrikë janë të punësuar aktualisht 12 punonjës të zonës.

/Tv Kombi/