Presidenti amerikan Joe Biden dha urdhër sot për evakuimin e personelit amerikan në Sudan, për shkak të tensioneve dhe luftës që ka nisur. “Sot, me urdhrin tim, ushtria e Shteteve të Bashkuara kreu një operacion për të nxjerrë personelin e qeverisë amerikane nga Khartoum,” tha ai në një deklaratë.
Një zyrtar amerikan tha se më pak se 100 njerëz u evakuuan herët të dielën, kur tre helikopterë Chinook zbritën pranë ambasadës amerikane për t’i mbledhur. Dhuna e ashpër shpërtheu javën e kaluar në Khartoum midis dy ushtrive kundërshtare.
Kujtojmë se lufta për pushtet midis ushtrisë së rregullt të Sudanit dhe një force paraushtarake të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ka kulmuar me bombardime të rënda në kryeqytet, me qindra të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur. Gjenerallejtënant Douglas Sims tha se më shumë se 100 trupa amerikane nga Navy Seals dhe Forcat Speciale të Ushtrisë fluturuan nga Xhibuti në Etiopi dhe më pas në Sudan dhe ishin në terren për më pak se një orë.