Ballina Vendi Laert Haxhiu dhe 3 persona të tjerë i vendosën tritol bizneseve të...

Laert Haxhiu dhe 3 persona të tjerë i vendosën tritol bizneseve të Noizy-t në 2022-n

26

16 urdhërarreste lëshoi Policia e Shtetit në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit për një grup kriminal përgjegjës për të paktën 16 ngjarje kriminale nëpër Shqipëri, por dhe Greqi. Mes tyre 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 raste të vjedhjes me dhunë dhe 3 raste të sigurimit të kushteve për vrasje.

Me kryefjalë të shumëkërkuarin Laert Haxhiu, aktualisht i arrestuar në Greqi, në mesin e ngjarjeve të zbardhura është edhe vendosja e tritolit në bizneset e familjes së Noizy-t. Ngjarja në fjalë ndodhi në Qershor të vitit 2022. 4 ishin personat që morën pjesë në këtë ngjarje.

“Në datë 08.06.2022, në dyqanin e shtetasit Bashkim Rajku, në qytetin e Durrësit, me autorë të dyshuar: Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë; Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë; Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë; Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë”, tha Policia e Shtetit.

Ngjarja: Dy objekte, njëri që funksiononte si dyqan rrobash dhe tjetri si lokal, u dëmtuan si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm me lëndë eksplozive. Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit, por fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të lënduar. Të dyja bizneset ishin në pronësi të reperit të njohur Rigels Rajku, i njohur edhe me emrin e artit Noizy.

Lënda plasëse u vendos në dyqanin që ndodhej në katin parë të ndërtesës që ishte marrë me qira nga babai i këngëtarit Bashkim Rajku dhe që shërbente për të shitur veshje të markës së Noizyt. Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe për pasojë u dëmtua edhe lokali i këngëtarit që ndodhej në katin e dytë. Gjithashtu nga shpërthimi i lëndës plasëse u dëmtuan edhe xhamat e disa shtëpive pranë.