Ballina Vendi Kur traditat dhe kultura takohen! Shijoni magjinë e “Festës së Grurit” në...

Kur traditat dhe kultura takohen! Shijoni magjinë e “Festës së Grurit” në Pojan

4

Festa e grurit” që do të zhvillohet ditën e sotme në fhatin Pojan duke filluar nga ora 19:00 është një prej festave më të bukura tradicionale që organizon Bashkia e Fierit. Kjo festë vjen duke kombinuar në mënyrë perfekte traditat, kulturën, dhe aktivitetet bujqësore të Myzeqesë, duke krijuar një manifestim unik që tërheq vizitorë nga Fieri dhe më gjerë.

Pojani, vendndodhja e festës, është një fshat i rëndësishëm për shkak të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, i cili zë një hapësirë prej rreth 16 hektarësh dhe është një prej atraksioneve kryesore të zonës. Një pjesë e kësaj hapësire do të përdoret për zhvillimin e Festës së Grurit.

Festa e Grurit mbahet çdo vit në kohën kur bëhet korrja dhe shirja e grurit, një nga punët më të rëndësishme bujqësore në rajonin e Myzeqesë. Data e zgjedhur për festën reflekton rëndësinë e prodhimit të grurit dhe lidhjen e thellë me traditën bujqësore të kësaj zone.

“Festa e Grurit” kombinon elemente të ndryshme që e bëjnë të veçantë. Ajo sjell së bashku traditën e prodhimit të grurit, mekanikën bujqësore, prodhimet vendase, si dhe traditat dhe trashëgiminë kulturore të fshatit Pojan. Pjesë e festës janë këngët, vallet dhe veshjet tradicionale, si dhe elementë të tjerë të folklorit shqiptar.

Aktivitetet gjatë festës do të jenë të shumta. Parada e vajzave, parada e makinave bujqësore dhe autokombajnave, ritualet tradicionale të grurit, panairi i bukës dhe grurit, gatimet e bibës në çerep, si dhe skarë, birra, verë janë disa nga aktivitetet që krijojnë një atmosferë festive dhe të gëzueshme për vizitorët.

Koncerti festiv është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e Festës së Grurit. Grupi i këngës qytetare fierake, Ansambli “Myzeqeja”, Ervis Behari, Rovena Ibrahimi dhe Mariglen Hazizaj janë disa nga artistët që marrin pjesë në koncertin festiv, duke sjellë muzikë dhe këngë tradicionale.

Festës së Grurit i shtohen disa aktivitete të reja këtë vit si crossfit, yoga, pilates dhe shfaqja e një drame antike.

“Festa e Grurit” është një organizim madhështor i Bashkisë së Fierit dhe është pjesë e turit etnokulturor “Hajd’ dalim nga Myzeqeja”. Ky organizim i veçantë mbështetet nga Parku Arkeologjik i Apolonisë dhe Ministria e Kulturës. Origjina e festës daton që nga antikiteti, por u organizua për herë të parë nga Bashkia e Fierit në vitin 2016.

Në vitet e fundit, Festa e Grurit ka fituar gjithnjë e më shumë popullaritet dhe interes nga publiku. Në vitin 2022, më shumë se 3000 vizitorë nga Fieri, Shqipëria dhe emigrantët morën pjesë në festë. Pritet që numri i vizitorëve të rritet në vitin 2023.