Ballina Vendi Kultivimi i kanabisit, jepet urdhri: Intensifikoni kontrollet në terren e ambiente të...

Kultivimi i kanabisit, jepet urdhri: Intensifikoni kontrollet në terren e ambiente të mbyllura

1

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një mbledhje me drejtues të policisë së qarqeve dhe të kufirit, u ka dhënë atyre një sërë porosish të qarta për të parandaluar kultivimin e kanabisit në vend.

Rrumbullaku ka kërkuar nga efektivët që të intensifikojnë kontrollet në terren dhe në ambientet e mbyllura, si dhe të mbledhin informacione duke bashkëpunuar edhe me qytetarët qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese, për personat me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Po ashtu, Rrumbullaku ka kërkuar kontroll të përjavshëm të territorit me grupe kontrolli të përbashkëta, duke përfshirë  të gjitha institucionet që i ngarkon ligji.

Kryepolici ka paralajmëruar se në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës.

Kontrolle të imtësishme në pikat e kalimit kufitar, në kufirin tokësor dhe në atë detar, për parandalimin e futjes në Shqipëri, të farave të kanabisit dhe për parandalimin e krimeve ndërkufitare, në veçanti tentativën për trafikim të lëndëve narkotike. Intensifikoni bashkëpunimin me partnerët, në nivel vendor, rajonal dhe qendror, duke organizuar patrullime të përbashkëta, si në det ashtu edhe në tokë, për të parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare. Bashkëpunoni me OSHEE-në në qarqe, për të evidentuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike. Në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës” ka thënë Rrumbullaku.

Gjithashtu ka kërkuar të organizohen “takime masive, duke bërë pjesë nxënësit e shkollave dhe qytetarët, me qëllim sensibilizimin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, për denoncimin e kësaj veprimtarie

Gjatë muajit janar dhe muajit shkurt, janë goditur në Durrës, në Fier dhe në Vlorë, 3 vila, me 5 kate, të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, si dhe një magazinë në Kropishtë të Selenicës, gjithashtu e përshtatur për kultivim.   

Janë arrestuar 13 persona, nga të cilët 8 punonjës të OSHEE-së, si dhe janë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë.

/rtsh.al/