Ballina Bota Kryeministri i Spanjës vizitë në Kiev: Krah Ukrainës derisa paqja të rikthehet...

    Kryeministri i Spanjës vizitë në Kiev: Krah Ukrainës derisa paqja të rikthehet në Evropë

    1

    Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka mbërritur këtë të enjte (23 shkurt) në Kiev për një vizitë të papritur një ditë para përvjetorit të luftës së Rusisë. Në një postim në rrjetin social Twitter, Sanchez shpreh mbështetjen e Spanjës për popullin ukrainas “derisa paqja të kthehet në Evropë”.

    Spanja është në mesin e një numri aleatësh të NATO-s që kanë rënë dakord të dërgojnë tanke moderne në Ukrainë dhe ka trajnuar 800 trupa ukrainase që nga fillimi i luftës.

    Dy ditë më parë, edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni udhëtoi drejt Kievit, ku premtoi vijueshmërinë e mbështetjes së vendit të saj për Ukrainën.

    Udhëtimi i Melonit në Ukrainë, po ashtu erdhi pas vizitës së papritur që zhvilloi të hënën presidenti amerikan Joe Biden në Kiev, ku u takua dhe me presidentin Volodymyr Zelensky. Kujtojmë se në takimin mes dyshes Biden-Zelensky, presidenti amerikan premtoi vijimin e mbështetjes së SHBA ndaj Ukrainës.

    Presidenti Joe Biden nderoi gjithashtu “guximin dhe udhëheqjen” e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një mesazh të shkruar në librin e të ftuarve në Pallatin Mariinsky, rezidenca zyrtare e Presidentit të Ukrainës.

    SHBA ka qenë krah Ukrainës që në nisje të pushtimit rus, më 24 shkurt të 2022, me mbështetje ushtarake dhe sanksione ndaj Rusisë.

    /rtsh.al/