Ballina Bota Kriza në Ukrainë, pesë arsye pse Putin mund të mos sulmojë

    Kriza në Ukrainë, pesë arsye pse Putin mund të mos sulmojë

    2

    Rusia ka dislokuar më shumë se dy të tretat e fuqisë së saj ushtarake brenda një distance goditëse nga kufiri me Ukrainën.

    30,000 trupat që supozohej të tërhiqeshin nga Bjellorusia fqinje në fundjavë, vazhdojnë të mbeten atje. Po kështu, edhe urat ponton dhe pajisjet e tjera logjistike të nevojshme për një pushtim të mundshëm mbeten pranë kufirit me Ukrainën.

    Dhuna po fillon të përkeqësohet në dy republikat separatiste në Ukrainën Lindore, të cilat mbështeten nga Rusia. Kërkesat e Rusisë nga NATO mbeten të paplotësuara dhe diplomacia deri më tani nuk ka arritur të sjellë ndonjë tërheqje të konsiderueshme të forcave ruse.

    Ndërkohë, liderët perëndimorë dhe drejtuesit e agjencive të inteligjencës kanë dhënë alarmin, duke pohuar se presidenti Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës.

    E megjithatë, ka arsye për të besuar se një pushtim i plotë i Ukrainës nga Rusia mund të mos ndodhë. Ja disa prej tyre.

    1. Do të ishte i përgjakshëm

    Ukraina do të rezistojë, të paktën në fillim të përballjes. Forcat e saj janë shumë më të pakta në numër dhe në armatime se sa ato të Rusisë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kishte pasoja të rënda për të dyja palët.

    Nëse Moska do të ndërmerrte një pushtim të plotë të Ukrainës, duke marrë me forcë qytetet kryesore: Kievin, Kharkivin dhe Odessan, atëherë kjo mund të sillte luftime të zgjatura dhe me kosto të larta në ҫdo rrugë, ku duhet pasur parasysh që ukrainasit po luftojnë në shtëpinë e tyre.

    1. Nuk do të ishte një lëvizje popullore në Rusi

    Një sondazh i kohëve të fundit me të rinjtë rusë zbuloi se shumica e tyre ishin kundër zhvillimit të luftës me fqinjin e tyre sllav.

    Perspektiva e një numri të madh të rusëve dhe të ukrainasve që vdesin në një luftë të nisur nga Putin, si dhe e ideja e ushtarëve rusë që kthehen në shtëpi në arkivole, nuk do të pritej mirë në Rusi.

    1. Sanksionet perëndimore do ta dëmtonin Rusinë

    Ashpërsia e sanksioneve perëndimore, me të cilat Rusia është kërcënuar tashmë, do të varet sipas ҫdo gjase nga sa thellë Rusia hyn në Ukrainë.

    Pavarësisht se liderët perëndimorë flasin për unanimitetin e NATO-s, realiteti është se Gjermania dhe Hungaria, për shembull, të cilat varen në një pjesë të madhe nga gazi rus, nuk janë aq të ashpra në qëndrimin e tyre sa Britania, e cila nuk ka varësi nga Rusia.

    Megjithatë, sanksionet do ta dëmtonin gjithsesi ekonominë relativisht të vogël ruse, veçanërisht nëse ajo pezullohet nga sistemi bankar Swift, siç kërkohet nga disa shtete.

    1. Do të kishte kosto të larta politike

    Kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014, ajo u shënjestrua ndërkombëtarisht për vite me radhë. E njëjta gjë do të ndodhte edhe këtë herë, por akoma më keq.

    Edhe Kina, një aleate strategjike e Rusisë, ka dalë me deklarata kundër saj, nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Wang Yi, duke thënë në Konferencën e Sigurisë në Mynih se “Sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i çdo vendi duhet të ruhen. Ukraina nuk bën përjashtim.”

    Senatori amerikan Chris Murphy beson se ndryshe nga sa duket, Putin është në një pozitë shumë të dobët dhe “një pushtim potencialisht katastrofik i Ukrainës do të ishte zgjidhja e tij e fundit”.

    Ai beson se pas vitit 2013, populli i Ukrainës e bëri të qartë se nuk dëshironte të ishte më në orbitën e Rusisë dhe detyrimi i tyre për t’u kthyer nën kontrollin rus nëpërmjet një lufte të kushtueshme do të shkatërronte ekonominë ruse dhe ndoshta edhe do të rrëzonte Presidentin Putin.

    1. Putini e ka ngritur tashmë shqetësimin e tij

    Moska tashmë e ka tërhequr vëmendjen e Perëndimit përsa i përket padrejtësive të perceptuara për rendin dhe sigurinë pas Luftës së Ftohtë në Europë.

    Nga këndvështrimi i Putinit, NATO-ja nuk e ka zbatuar marrëveshjen për të mos u zgjeruar në lindje, drejt kufijve të Rusisë.

    Jo vetëm që tre republikat baltike (të gjitha ish-Republika Socialiste Sovjetike), Polonia, si dhe vende të tjera të ish-Traktatit të Varshavës, i janë bashkuar NATO-s, por tashmë, perspektiva që edhe Ukraina fqinje të bëjë të njëjtën gjë është e papranueshme për Moskën.

    Putini dëshiron që kjo të ndryshojë, ose në të kundërt, kërcënimi i një pushtimi rus do të qëndrojë përgjithmonë prezent në Ukrainë.

    “Ai dëshiron të negociojë një marrëveshje të re sigurie, por nga një pozicion i forcës”, thotë Ghanem Nuseibeg, një studiues në Harvard. “Në njëfarë mënyre, ai ia ka arritur këtij qëllimi pjesërisht me Macron, duke folur për një rend të ri sigurie.”/ BBC