Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku u shpreh i gatshëm të japë shpjegime në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë në kryeqytet.
Gjatë seancës dëgjimore të thirrur nga disa deputetë në Komisionin e Sigurisë, Rrumbullaku tha se do të paraqitet brenda 48 orëve dhe shtoi se do të japë shpjegime edhe për rastin e Klodian Rashës, pasi në kohën kur ndodhi ngjarja, ai ishte në krye të AMP-së.
“Për sa kërkohet nga grupi i deputetëve për çështjet që lidhen me ngjarjet e fundit të të ndjerit Kurti, jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve dhe të jap shpjegime në lidhje me sa kërkohet nga ana juaj.
Edhe për çështjen e të ndjerit Rasha, duke qenë në detyrën e drejtorit të AMP-së, jam në gjendje të jap të gjitha shpjegimet e duhura. Do t’ju lutesha se çdo gjë që mediatikisht shpërndahet për opinionin, nuk do të thotë se janë të vërtetet reale të hetimeve që kryen institucionet e drejtësisë”, theksoi ai.