Ballina Vendi KQZ konstituon KZAZ-të, PD ende pa komisionerë, pagesat që do të marrin...

KQZ konstituon KZAZ-të, PD ende pa komisionerë, pagesat që do të marrin kryetarët, sekretarët, anëtarët e komisioneve

1

Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 nisin të vizatohen jo vetëm formalisht, por edhe juridikisht, sa i përket jo vetëm konstituimit të Komisioneve Zonale për Administrimin e Zgjedhjeve (KZAZ), por edhe masave të shpërblimit që do të jepen për anëtarët e komisioneve zgjedhore.

Nga 61 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, në 50 prej tyre KZAZ-të do të administrojnë procese të rëndësishme si regjistrimi i kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiak, akreditimi i vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, shpalljes së kandidatit fitues për kryetar bashkie, e të tjerë.

KZAZ-të kanë nisur sot nga puna, në përbërje të të cilave, momentalisht, janë subjektet politike të PS, PL-së dhe PSD-së. PD, për shkak të konflikteve gjyqësore për drejtimin e partisë, ka mbetur jashtë KZAZ-ve.

Në momentin e zgjidhjes së konflikteve, do të jenë prezentë në KZAZ-të edhe përfaqësuesit e PD-së. Për të nisur nga puna KZAZ-të mjafton të ketë 4 anëtarë. Ky numër është aktualisht, ndaj dhe ato, zyrtarisht, kanë nisur nga puna.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, që do të zhvillohen në datën 14 maj 2023. Ngritja e KZAZ-ve është një nga fazat e rëndësishme të procesit të administrimit të zgjedhjeve, pasi Kodi Zgjedhor i ka ngarkuar me detyra të posaçme. Në zbatim të vendimit nr. 5, datë 20.11.2020 të Komisionit Rregullator, oraret e punës së KZAZ-ve janë 09:00-13:00 dhe 16:00-20:00.”- njofton KQZ-ja.

Shpërblimet

Por nga ana tjetër tashmë janë përcaktuar edhe shpërblimet për anëtarët e komisioneve zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023. Shpërblimi nis nga dita e sotme që është dhe momenti i konstituimit deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Pas një programi për trajnim që komisionerët kanë ndjekur dhe konstituimit të KZAZ-ve, masa e shpërblimit për kryetarin dhe zëvendëskryetarin e KZAZ-ve është në vlerën 65.000 lekë, për KZAZ-të të cilat kanë në juridiksionin e tyre më pak se 50 QV; në vlerën 100.000 lekë, për KZAZ-të të cilat kanë në juridiksionin e tyre 50 deri në 80 QV; në vlerën 120.000 lekë, për KZAZ-të të cilat kanë në juridiksionin e tyre më shumë se 80 QV.

Sa i përket sekretarit të KZAZ-së masa e shpërblimit do të jetë në vlerën 60.000 lekë, për KZAZ-të të cilat kanë në juridiksionin e tyre më pak se 50 QV; në vlerën 95.000 lekë, për KZAZ-të të cilat kanë në juridiksionin e tyre 50 deri në 80 QV;
në vlerën 118.000 lekë, për KZAZ-të të cilat kanë në juridiksionin e tyre më shumë se QV.

Ndërsa anëtarët e KZAZ-ve do të shpërblehen në vlerën 60.000; kryetari i KQV-së në vlerën 4.000 lekë; anëtari dhe Sekretari i KQV-së në vlerën 3.500 lekë; anëtari i Grupit të Numërimit të Votave në vlerën 6.000 lekë.

/rtsh.al/ a.meta