Ballina Lajme Kosovë, u mësonin fëmijëve t’i bindnin prindërit të mos e festonin Vitin...

Kosovë, u mësonin fëmijëve t’i bindnin prindërit të mos e festonin Vitin e Ri, “Gabim që s’duhet përsëritur”

14

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është distancuar nga një aktivitet që u zhvillua në një xhami në Prishtinë, më 31 dhjetor, kur fëmijëve u ishte dhënë detyrë të mendonin për mënyra se si t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri. Për këtë aktivitet, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës ka thënë se do ta intervistojë imamin e xhamisë “Mati 1”, Fadil Musliu.

Aktivitetin e zhvilluar në këtë xhami, sociologu Artan Muhaxhiri e cilëson si keqpërdorim të fëmijëve dhe thotë se BIK-u duhet të jetë më i informuar për aktivitetet që zhvillohen brenda xhamive, si ajo “Mati 1” në Prishtinë.

 

Përmes një postimi në faqen e xhamisë në rrjetin social Facebook, u bë e ditur se, në prag të festës së Vitit të Ri, fëmijëve, kryesisht të mitur, u ishte prezantuar një leksion kundër festimit të Vitit të Ri.

“Ata sollën punimet e tyre në klasë dhe shpjeguan në mënyrë të hollësishme se si do të tentonin t’i bindnin prindërit e tyre të mos e festojnë një festë pagane”, thuhet në postimin e xhamisë “Mati 1”.

Fotot e fëmijëve, gjatë përfshirjes në aktivitetin e organizuar më 31 dhjetor, janë publikuar në postimin e kësaj xhamie. Postimi tërhoqi reagime të shumta në rrjete sociale – disa prej tyre mbështetnin aktivitetin e zhvilluar, e disa të tjerë e kritikonin atë.

“Si mund t’i bindni prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri”, ishte tema, për të cilën “nxënësit kishin për obligim të paraqisnin një ide në letër”, thuhet në postimin e publikuar më 31 dhjetor në faqen zyrtare në Facebook, të xhamisë “Mati 1” në Prishtinë.

Nga Departamenti i Gruas në BIK thonë se ky aktivitet nuk ka qenë i planifikuar në koordinim me BIK-un. Vartëse e këtij departamenti është edhe mësuesja Xheneta Fejzullahu-Fejziu, që zhvillon mësimdhënien bazike për besimin islam me fëmijë në xhaminë “Mati 1”.

Udhëheqësja e këtij departamenti të BIK-ut, Vaxhide Podvorica-Bunjaku, thotë se aktiviteti, i cili ka ngjallur debat në publik, nuk ka qenë i qëllimshëm dhe as i planifikuar nga departamenti që ajo drejton.

“Është i rastësishëm, nga vetë mësuesja. Ne, si departament, nuk e pranojmë një gjë të tillë. Ka qenë si aktivitet i rastit, i momentit, dhe jo i planifikuar”, thotë Podvorica-Bunjaku.

Imami Musliu: Leksioni ishte i paraparë
Por, imami i xhamisë “Mati 1” në Prishtinë, Fadil Musliu, i intervistuar nga Radio Evropa e Lirë më 2 janar, thotë se aktiviteti i 31 dhjetorit është zhvilluar në kuadër të sektorit të gruas, i cili funksionon brenda xhamisë.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që, përmes imamit Musliu, të kontaktojë mësuesen Xheneta Fejzullahu-Fejziu. Por, sipas Musliut, ajo refuzon që të kontaktohet nga mediat.

Megjithatë, Musliu thekson se aktiviteti është zhvilluar sipas planit të mësueses, e cila, siç thotë ai, “është çdo herë në koordinim me Departamentin e Gruas, që vepron në kuadër të BIK-ut”.

“Ajo, në koordinim me Departamentin e Gruas dhe në koordinim edhe me koleget e saj – sepse Bashkësia Islame ka dhjetëra mualime [mësuese] që zhvillojnë aktivitetet e tyre në xhamitë e Kosovës – e kanë paraparë atë [leksion]. Por, është bërë pak e madhe në media”, thekson Musliu.

Ai shton se, më pas, i ka parë punimet e nxënësve dhe thotë se ato nuk përmbajnë nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës.

“As nuk ka nënçmim, apo poshtërim të ndokujt. Aty vetëm është shpjeguar se, ne si myslimanë, në aspektin fetar i kemi dy festa: festën e Fitër Bajramit dhe festën e Kurban Bajramit. Në fakt, edhe Viti i Ri nuk paraqet ndonjë festë fetare të ndonjë feje”, thekson Musliu.

Ai shton se besimtarët myslimanë nuk janë kundër atyre që e festojnë Vitin e Ri, “por nuk jemi as që dikush të na e imponojë si (festë) obligative”.

Çfarë thonë nga institucionet qendrore dhe lokale të BIK-ut?
Vaxhide Podvorica-Bunjaku, udhëheqëse e Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës thotë se aktiviteti që ka zhvilluar mësuesja Fejzullahu – Fejziu është jashtë planit të departamentit që ajo drejton.

“Nuk është plan i departamentit. Mësueset tjera, mualimet tona, nuk kanë bërë diçka të tillë, për shembull, siç ka bërë ajo. Neve na vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë, në këtë formë, sepse të gjithë, si njerëz, si shoqëri civile, duhet t’u gëzohemi festave”, tha Podvorica – Bunjaku.

Lidhur me aktivitetin e zhvilluar me fëmijë në xhaminë “Mati 1”, më 31 dhjetor, ka reaguar edhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës.

Kryetari i këtij Këshilli, Hetem Sopjani, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, e vlerëson si veprim të gabuar aktivitetin e 31 dhjetorit në xhaminë “Mati 1”, e cila është nën kontrollin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës. Megjithatë, ai beson se gabimi nuk është bërë qëllimshëm dhe, si i tillë, thotë se nuk e paraqet fare qëndrimin e BIK-ut.

“Nuk jam i mendimit që të mos festohet edhe Viti i Ri, sepse, tek e fundit, fëmijët tanë, njerëzit, familjarët… ne nuk kemi kompetencë t’i ndalim dhe [t’u themi] të mos e festojnë Vitin e Ri. Kjo ka ndodhur dhe shpresoj që në të ardhmen nuk do të ndodhë. Është një gabim i rastit që ka ndodhur, është një lëshim i cili është bërë nga njerëzit kompetent”, thekson Sopjani.

Ai shtoi se imami i xhamisë “Mati 1” do të ftohet në institucionin në Bashkësinë Islame për të dhënë sqarime lidhur me aktivitetin në xhaminë e tij, por edhe për deklaratat e tij publike.

“Do të intervistohet edhe imami. Do të thirret në takim imami, për gjërat të cilat kanë ndodhur dhe shpresojmë që në të ardhmen të mos ndodhin gjëra të tilla”, tha Sopjani.

Ndërkohë, Departamenti i Gruas në BIK nuk ka specifikuar nëse do të merret ndonjë masë ndaj mësueses Fejzullahu-Fejziu.

Çfarë thonë besimtarët?
Qytetarët që frekuentojnë xhaminë “Mati 1” për t’i kryer ritualet fetare islame, me të cilët Radio Evropa e Lirë ka biseduar, kanë mendime të ndryshme lidhur me aktivitetin e 31 dhjetorit, të mbajtur me fëmijë në këtë xhami.

Halil Binaku konsideron se besimtarët myslimanë nuk duhet t’i japin rëndësi festës së Vitit të Ri dhe se, sipas tij, për ta ekzistojnë vetëm dy festa fetare: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Në këtë kontekst, konsideron ai, mesazhi që u është dhënë fëmijëve është në përputhje me besimin fetar, pavarësisht se ata janë të mitur.

“Fëmijë po, por ai prej fëmijërisë e merr atë mësimin e vet për të mos gabuar. Mendimi im është kështu, tash… nuk e di. Ndoshta nuk është kështu, por unë mendoj kështu”, thotë Binaku.

Hajredin Shala, po ashtu, shpreh mendimin se besimi islam nuk parasheh festimin e Vitit të Ri. Por, ai është kundër idesë që kjo bindje t’i imponohet, ose sugjerohet kujtdo qoftë, e veçanërisht fëmijëve. Në këtë kontekst, ai kritikon aktivitetin e mësueses Fejzullahu-Fejziu me fëmijët në xhaminë “Mati 1”.

“Nuk është dashur. Asnjë gjë nuk bën t’ia futësh në tru fëmijës. Një gjë që nuk ta merr mendja ty që duhet ta thuash, nuk duhet t’ia thuash as fëmijës”, thekson Shala.

Muhaxhiri: Ngjarja në xhami përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve
Sociologu Artan Muhaxhiri vlerëson se përfshirja e fëmijëve në këtë ngjarje përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve, pasi që thotë se atyre u është dhënë një obligim që nuk u takon: t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri.

“Natyrisht që fëmijët janë më lehtë të manipulueshëm dhe pikërisht këtu është problemi kryesor në këtë ide, sepse i vë në shënjestër kategoritë më të cenueshme dhe tenton të përfitojë nga mungesa e një niveli të konsoliduar të vetëdijes kritike në raport me vendimmarrjen personale”, thotë Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.

Ai, gjithashtu, shprehet i shqetësuar nga publikimi i fotografisë ku shihen fytyrat e fëmijëve dhe bën thirrje që ky rast të hetohet nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

“BIK-u është dashur të ketë informacione më të detajuara lidhur me natyrën e ligjëratave që zhvillohen në atë xhami”, shton Muhaxhiri, duke iu referuar xhamisë “Mati 1″.

Megjithatë, ai shpreh mendimin që ngjarja që ndodhi atje më 31 dhjetor, është rast i izoluar dhe se, në përgjithësi, “nuk e përfaqëson qëndrimin e besimtarëve myslimanë në Kosovë”.

Mbi 95 për qind e popullsisë 1.7 milionëshe e Kosovës ishte deklaruar si myslimane, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vend më 2011 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kosova, në bazë të Kushtetutës, është shtet laik, multifetar.

Veprime kundër festimit të Vitit të Ri në Kosovë kishte pasur edhe në fund të dhjetorit të kaluar, kur në Han të Elezit ishte djegur një bredh i vendosur nga autoritetet lokale për festat e fundvitit. Edhe nëpër rrugët e qytetit ishin shpërndarë afishe me mesazhin “Viti i Ri nuk është festë e jona, mos festo festat e jomyslimanëve”.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 28 dhjetor katër persona u arrestuan. Ndaj tre prej tyre është zbatuar masa e ndalimit