Ballina Vendi Kompania shtetërore “IdentiTek” do të zëvendësojë “Aleat” në prodhimin e dokumenteve të...

Kompania shtetërore “IdentiTek” do të zëvendësojë “Aleat” në prodhimin e dokumenteve të identifikimit, pritet ulje çmimi

4

Këshilli i Ministrave vendosi dy muaj më parë krijimin e kompanisë shtetërore që do të prodhojë pasaportat dhe kartat biometrike dhe nuk do të jetë më Aleat-i i cili do të merret me prodhimin e pasaportave dhe kartave biometrike, por do t’i kalojë shtetit.

VKM-ja e shkurtit i hapi rrugë Ministrisë së Brendshme, e cila përfaqëson shtetin si pronar të 100 % të aksioneve të shoqërisë aksionare, që të punojë për ngritjen e kompanisë shtetërore brenda 30 ditëve. Krijimi i kësaj kompanie do t’i kushtojë buxhetit të 20 000 000 lekë.

Në krye të institucionit që do të quhet “IdentiTek” dhe që do të prodhojë pasaporta biometrike dhe karta identiteti, do të jetë Loina Prifti dhe do ta marrë detyrën nga 1 gushti 2023, që është edhe afati i fundit i kontratës së firmës private “Aleat” për prodhimin e dokumenteve biometrike me shtetin shqiptar, të lidhur që në vitin 2008. Shoqëria aksionere “IdentiTek” do të mbajë të njëjtat zyra, pajisje dhe çdo punonjës që ka deri më tani kompania “Aleat”.

Loina Prifti prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja aktualisht punon në Katedrën e  Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe merret me inteligjencën artificiale.

Ende nuk dihet se çfarë çmimesh do të përcaktohen për pasaportat dhe kartat biometrike, por tarifat do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7.500 lekë për një afat 15 ditor, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18.000 lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1.500 lekë.

Me kalimin e prodhimit të këtyre dokumenteve në duar të shtetit është hedhur ideja e uljes së çmimeve, por akoma nuk ka një vendimmarrje. Duke qenë se pasaporta është dokument jo i detyrueshëm dhe mund të bëhet me dëshirë, nuk priten shumë surpriza në ulje çmimi, por një gjë e tillë mund të bëhet me kartën e identitetit, e cila është e detyrueshme për personat mbi 16 vjeç.

Ky është koncensioni i dytë brenda pak kohësh që kalon nga koncensionari në duar të shtetit, pas atij të kontrollit teknik të automjeteve. Kontrata me Aleat përfundon në muajin korrik 2023. I gjithë kalimi nga “Aleat” në një kompaninë private do të bëhet brenda vitit 2023, dhe nisja e punës pritet të jetë gushti ose shtatori i këtij viti. “Aleat” ka detyrimin të vijoj prodhimin e dokumenteve edhe për një kohë të caktuar pas përfundimit të kontratës, derisa kompania shtetërore të jetë gati për të nisur punën. Kompania shtetërore do ofrojë kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:

a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;
b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);
c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.