I ashtuquajturi Artikulli 42, që është pjesë e një ligji që e rregullon migracionin në mbrojtje të shëndetit publik të amerikanëve, që ishte vendosur për shkak të pandemisë COVID-19, skadoi të premten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar kaos në kufirin e vendit me Meksikën.
Dhjetëra mijëra azilkërkues meksikanë nxituan të hynin në Shtetet e Bashkuara përpara se të vendoseshin rregullat e reja të shpallura nga administrata e presidentit Joe Biden.
Rregullorja e skaduar, e vendosur gjatë presidencës së ish-presidentit Donald Trump, ishte në fuqi që nga muaji mars i vitit 2020 dhe u kishte mundësuar zyrtarëve dhe policëve të kufirit që të kthejnë azilkërkuesit në kufi, me arsyetimin e parandalimit të përhapjes së COVID-19.
Qytetarë të shumtë, duke përfshirë fëmijë, mbrëmjen e së enjtes po ecnin përgjatë një kufiri të SHBA-ve të rrethuar me tela me gjemba, të pasigurt se ku të shkonin ose çfarë të bënin më pas.
Autoritetet amerikane kanë njoftuar një sërë masash rigoroze që synojnë frenimin e kalimeve të paligjshme të kufijve, së bashku me krijimin e rrugëve të ligjshme që emigrantët mund t’i ndjekin.
Sipas këtyre masave të reja, emigrantët e mundshëm mund të aplikojnë në internet, të gjejnë një sponsor dhe t’i nënshtrohen kontrolleve të së kaluarës së tyre.
Në një mur të lartë që ndan San Diegon, në Kaliforni dhe Tijuanën në Meksikë, qindra emigrantë kanë kaluar kufirin ditët e fundit, duke pritur që t’i dorëzohen agjentëve kufitarë amerikanë.
Më shumë se 10,000 emigrantë u kapën duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë çdo ditë të hënën (8 maj) dhe të martën (9 maj), tha Brandon Judd, president i një sindikate për agjentët e Patrullës Kufitare.