Ballina Bota Jens Stoltenberg thirrje Koresë së Jugut: Rrisni mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës, nuk...

    Jens Stoltenberg thirrje Koresë së Jugut: Rrisni mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës, nuk duhet të fitojë tirania

    2

    Në një kohë që SHBA dhe Gjermania premtuan tanke për t’i ardhur në ndihmë Kievit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka kërkuar Koresë së Jugut të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Në takimet me zyrtarë të lartë të Koresë së Jugut, Stoltenberg u ka sugjeruar që të shqyrtojnë politikat e vendit për të mos eksportuar armë në vendet në konflikt. Sipas Stoltenberg, Ukraina ka nevojë urgjente për ndihmë ushtarake.

    I bëj thirrje Republikës së Koresë që të vazhdojë dhe të përshpejtojë çështjen specifike të mbështetjes ushtarake. Në fund të ditës, është një vendim që duhet ta merrni, por unë do të them se disa aleatë të NATO-s që kanë pasur si politikë që të mos eksportojnë kurrë armë në vendet në konflikt, e kanë ndryshuar atë politikë tani”, tha ai, teksa argumentoi se ngjarjet në Evropë dhe Amerikën e Veriut janë të ndërlidhura me rajone të tjera dhe se aleanca dëshiron të ndihmojë në menaxhimin e kërcënimeve globale duke rritur partneritetet në Azi.

    Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ka thënë se ligji i vendit të tij kundër ofrimit të armëve për vendet në konflikt, e vështirëson sigurimin e armëve për Ukrainën. Stoltenberg vuri në dukje se vende të tilla si Gjermania, Suedia dhe Norvegjia kishin politika të ngjashme, por i ndryshuan ato. “Nëse nuk duam të fitojë autokracia dhe tirania, atëherë atyre u duhen armë, ky është realiteti”, tha ai, duke iu referuar Ukrainës.

    Kujtojmë se Gjermania, ndonëse kishte premtuar ndihmë me tanke Leopard 2 ndaj Ukrainës, Kancelari gjerman përjashtoi dje (29 janar) mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë.

    /rtsh.al/