2 ditë pas ekzekutimit të Arjan Gosës është zbardhur dëshmia tronditëse e të atit, Osman Gosa.
Teksa pa me sy vdekjen e të birit, në gjendje të rënduar psikologjike, ai ka treguar me detaje çfarë ka ndodhur atë pasdite.
“Djali im Arjani pak ditë më parë kishte ardhur nga Italia, pasi jetonte atje. Dolëm të pinim kafe dhe të ndiqnim ndeshjen Napoli-Inter. Ishim kthyer me shpinë nga rruga, po shikonim ndeshjen dhe pinim cigare. Nuk e pamë fare. Vetëm kur plasi arma. Ktheva kokën dhe pashë që Arjani u këput. Pashë një person që iku me vrap. U shokova kur pashë tim bir të goditur në kokë. S’kishte asnjë shpresë, humbi jetën menjëherë”, tha Gosa.
Ndërsa lëviznin lirisht të pambrojtur nëpër qytet, ai ka deklaruar se nuk prisnin asnjë hakmarrje.
“Ne nuk mendonim se ngjarja e marsit do të vazhdonte. Në ngjarjen e parë, vdiqën të dy. Nuk kishte pse të vazhdonte më kjo histori. Ne nuk ruheshim, pasi s’na shkonte ndër mend që familja Rexha do të vazhdonte”, tha Gosa.
Habib Rexha dyshohet se e kreu krimin për hakmarrje.
I ati I autorit të dyshuar, ka thënë se nuk kishte djeni për planin e thurur nga djali I tij dhe se nuk ka vënë re asnjë lëvizje të dyshimtë nga djali I tij Habibi.
Ai është vëllai i Altin Rexhës, personi që u vra nga vëllai i Arjan Gosës, Edmond Gosa, në ngjarjen që tronditit Kavajën në muajin mars.
Policia ka zbuluar se autori u largua fillimisht drejt Durrësit dhe më pas dyshohet se është larguar drejt Kukësit.
Edhe pse policia ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që ka informacion, ende nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.