Ish-kryeministri i Sudanit Abdalla Hamdok ka paralajmëruar se konflikti në vendin e tij mund të bëhet shumë herë më i keq se ai në Siri dhe Libi.
Sipas Hamdokut, luftimet midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) do të shndërroheshin në një makth për mbarë botën.
Luftimet që nisën më 15 prill dhe kanë lënë pas qindra të vdekur, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz po largohen nga vendi.
Zgjatja e së enjtes mbrëma e armëpushimit midis fraksioneve rivale pasoi përpjekjet intensive diplomatike nga vendet fqinje, si dhe SHBA, MB dhe OKB për të arritur paqen. Por armëpushimi prej 72 orësh nuk është respektuar.
Ndërkohë, në portin e Sudanit ka skena kaotike ku njerëzit janë të dëshpëruar për të hipur në anije, disa prej të cilave janë nisur drejt Arabisë Saudite dhe Jemenit.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se kishte përfunduar operacionin e saj të evakuimit. Ndërkohë qeveria amerikane tha se një kolonë e organizuar nga SHBA kishte arritur në Portin e Sudanit për të evakuuar më shumë shtetas amerikanë me anije në Jeddah në Arabinë Saudite.
Ai tha se qindra amerikanë ishin larguar tashmë nga Sudani, përveç diplomatëve të evakuuar nga ajri një javë më parë.
Duke folur në një konferencë në kryeqytetin kenian Nairobi, Hamdok bëri thirrje për një përpjekje të unifikuar ndërkombëtare për të bindur shefin e ushtrisë sudaneze dhe udhëheqësin e RSF-së për të mbajtur bisedime paqeje.
“Kjo nuk është një luftë midis një ushtrie dhe rebelëve. Është pothuajse si dy ushtri, të stërvitura mirë dhe të armatosura mire”, ka thënë Hamdok, transmeton BBC.
Hamdok, i cili shërbeu si kryeministër dy herë midis 2019 dhe 2022 theksoi se pasiguria mund të bëhet më e keqe se luftërat civile në Siri dhe Libi.
/rtsh.al/