Inflacioni vjetor në të gjithë eurozonën ra përsëri në përqindjen njëshifrore dhe qëndroi në 9.2% në fund të dhjetorit, sipas një vlerësimi të publikuar nga Eurostat të premten në mëngjes.
Inflacioni filloi të lehtësohej në nëntor, por gjithsesi qëndroi në nivelin 10.1%.
Ky zhvillim vjen pasi çmimet e gazit, një nga shtytësit kryesorë pas inflacionit rekord të vitit të kaluar, u kthyen në nivelet e paraluftës mes motit jashtëzakonisht të ngrohtë.
Edhe pse lajmi mund të shihet si një zhvillim pozitiv, norma e inflacionit të eurozonës përfaqëson pothuajse pesëfishin e objektivit prej 2% të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Banka muajt e fundit ka rritur normat e interesit me një ritëm agresiv për t’i bërë shpenzimet më të shtrenjta dhe për të zbutur çmimet në rritje.
“Ne jemi të gatshëm të rregullojmë të gjitha instrumentet tona brenda mandatit tonë për të siguruar që inflacioni të kthehet në objektivin tonë afatmesëm të inflacionit,” tha muajin e kaluar presidentja e BQE Christine Lagarde.
Megjithatë, shumica e shteteve anëtare që përdorin euron si monedhë, panë një rënie të inflacionit gjatë muajit të kaluar, me një rënie të dukshme në Gjermani, nga 11.3% në nëntor në 9.6% në dhjetor.