Policia ka reaguar në lidhje me humbjen në det të të riut në plazhin e Bisht Pallës. Blutë e Durrësit bëjnë me dije se i riu u fut për të nxjerrë nga ujërat e detit dy të mitur, por ndërkohë që i ka shpëtuar ata, nuk ka mundur të dalë vetë.
Kërkimet për gjetjen e tij vijojnë, por tashmë kanë kaluar shumë orë që prej momentit kur kishte mbetur në ujërat e detit.
Më herët, abcnews.al raportoi në lidhje me ngjarjen në fjalë ku gazetari Leonidha Musaj bëri me dije se gjithçka ndodhi gjatë orëve të mesditës teksa të rinjtë ishin duke u larë në det.
Njoftimi i policisë
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 13:30, në Sektor Rinia, Durrës, shtetasi A. K., rreth 18 vjeç, dyshohet se është futur në det, për të shpëtuar dy fëmijë të mitur, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Shtetasi A. K. nuk ka mundur të dalë në breg. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Kufitare, të cilat po kërkojnë në det, për gjetjen e tij. /abcnews.al