Xhuliano Miho, që vrau një natë më parë partnerin e gruas, me të cilën ishte në proces divorci, pretendon se sulmin e nisi vetë viktima, 23-vjeçari Xhimi Bakaj.
39-vjeçari, i cili punonte në një lavazh, në dëshminë e tij në polici është shprehur se biçaku ka qenë i viktimës dhe ai thjesht është mbrojtur gjatë përplasjes fizike mes tyre.
“Gruaja më merrte në telefon dhe më thoshte se po kënaqej me të dashurin e ri, më kërkonte para për fëmijët. Edhe Xhimi më vinte te puna dhe më bënte karshillëk”,është shprehur autori i dyshuar.
Shkak për vrasjen e të riut dyshohet se është bërë divorci mes autorit dhe bashkëshortes me të cilën ka dy fëmijë. Kjo e fundit kishte disa muaj që ishte larguar nga banesa bashkë me fëmijët dhe bashkëjetonte me 23-vjeçarin. Autori e ka takuar në rrugë viktimën dhe pas një debati e ka qëlluar tri herë me thikë.
Pas ngjarjes, 39-vjeçari është vënë në pranga, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.