Nuk ka më tolerancë. Siguria rrugore është në pikë të hallit, edhe pse për shumë arsye. Mes tyre rrugët e mjerueshme, sinjalistika e shpeshmunguar, ndriçimi më së shumti inekzistent, kthesat e shumta, rrugët e ngushta, korsitë e pakta, trafiku gjithë kohës mbytës, etj. etj.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se ca nga padurimi, ca nga probleme më sipër e ca nga papërgjegjshmëria e shoferëve, përditë ka shkelje të shumta rrugore që shpesh provokojnë aksidente deri fatale.
Meqenëse për probleme e para të renditura më lart, policia e Shtetit nuk ka çfarë bën ose nuk mundet, ka vendosur të merret me pjesën e dytë, atë të shkeljeve rrugore.
Ndaj, nisur nga aksidentet e ndodhura ditët e fundit, në disa qarqe të vendit, me pasoja për jetën, si dhe nga aksidenti i mesditës së sotme në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka kërkuar reflektim të menjëhershëm të strukturave të Policisë Rrugore, në të gjithë vendin, por dhe të strukturave të Rendit e Shqiponjave, me qëllim koordinimin e veprimeve për evidentimin dhe ndëshkimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve, që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, konkretisht:
Në dhënien përparësi të këmbësorëve në vijat e bardha dhe aty ku ato mungojnë, që nuk respektojnë tabelat e shpejtësisë, ata që nuk vendosin rripin e sigurimit, për ata që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, për ata që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të atyre që përdorin mjetet me xhama të riveshur pa u certifikuar, ata që kryejnë gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë, dhe ata drejtues motomjetesh që nuk përdorin kaskën mbrojtëse.
Drejtori i Përgjithshëm, nëpërmjet një telegrami urgjent për stukturat, ka kërkuar që drejtuesit e strukturave Policore të jenë në krye të shërbimeve, për ti organizuar dhe orientuar, që të fokusohen në ato shkelje që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjithashtu, Drejtor Nano, ka urdhëruar ngritjen e një grupi inspektimi nga Departamenti i Sigurisë Publike për të kontrolluar, analizuar dhe evidentuar mangësitë, si dhe për të marrë masa konkrete ndëshkimore, për personat përgjegjës për aksidentet e ndodhura, apo për rezultate të dobëta në punë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkon edhe njëherë bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe të denoncojnë çdo abuzim me detyrën të punonjësve të Policisë Rrugore, apo për mosveprim a plogështi në veprime, duke i siguruar për reagim të menjëhershëm dhe të ashpër, ndaj çdo drejtuesi mjeti dhe ndaj secilit punonjësi Policie, që me mosveprimet e tij, cënon rëndë sigurinë e jetës në rrugë.
Prej orës 20:00 në të gjithë vendin kanë nisur kontrolle intensive, patrullime e monitorime, që do jenë të përditshme dhe jo me fushata, duke përdorur të gjitha mjetet logjistike bashkëkohore, që tashmë Policia Rrugore ka në përdorim.