Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Premtuesi”, duke arrestuar një 29-vjeçar, i cili mashtronte qytetarët se do t’i punësonte në shtet, duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash.
Në pranga ka rënë i riu Juljan Gjoka, i cili sipas policisë, ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga shtetaset V. Ç. dhe L. P., të cilave iu kishte premtuar se do t’i punësonte në institucione shtetërore.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Premtuesi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– J. Gj., 29 vjeç, banues në Vorë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky shtetas dyshohet se me anë të mashtrimit, dokumenteve të falsifikuara dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga shtetaset V. Ç. dhe L. P., të cilave iu kishte premtuar se do t’i punësonte në institucione shtetërore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
(BalkanWeb)