Tentativa për të futur drogë në Burgun e Fierit ka çuar në pranga një shtetase, e cila e kishte fshehur drogën në atlete, me qëllim për t’ia dhënë një të burgosuri.
Policia e Burgjeve bëri të ditur se të premten në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, gjatë një kontrolli me qëllim parandalimin dhe konstatimin e sendeve të ndaluara referuar dhe të dhënave nga inteligjenca operative punonjësit e IEVP-së dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, konstatuan dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis stativa, me peshë totale 32.45 gram.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit fizik të familjares Limoza Bahi Xhelali, e lindur më 16 Shtator 1958, e cila ishte duke u përgatitur për të takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje.
Kontrolli u krye në pjesën e atleteve të zonjës Xhelali, ku u gjet lënda e dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme kriminalistike.
“Lidhur me këtë rast, është informuar menjëherë Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksion i Përgjithshëm Fier, i cili po ndjek veprimet e mëtejshme proçeduriale. Në vijim të hetimeve, u krye edhe një kontroll në banesën e shtetases, Limoza Xhelali nga forcat e policisë Lushnje, ku nuk u gjetën sende të paligjshme. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është duke vazhduar me veprimet proceduriale të nevojshme. Shtetasja Limoza Xhelali u arrestua dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, njofton policia.