Ballina Vendi Fieri me numrin më të lartë të të larguarve në pesë vitet...

Fieri me numrin më të lartë të të larguarve në pesë vitet e fundit, Tirana mbetet lokomotiva e vendit me 925 mijë banorë

2

TIRANË- Që nga 2001 popullsia e Shqipërisë ka vijuar të bjerë. Përveç vitit 2017 kur pati një shtesë modeste me 1 mijë banorë, në vitet e tjera rënia ka vazhduar. Edhe në 2022-in trendi vazhdoi, me 31 800 persona më pak në vend, ndërsa numri i emigrantëve ishte më i larti që nga 2014-ta.

Në një periudhë 5 vjeçare shifrat tregojnë një realitet të hidhur me të rinjtë që po largohen gjithnjë e më shumë nga vendi. Kështu nga 2018-ta janë 137 598 individë të grupmoshës deri në 29 vjeç që janë larguar nga vendi. Ndërkohë në piramidën e popullsisë, në pesë vitet fundit, u shtuan 68 269 individë të grupmoshës 60 – 85 vjeç.

Edhe mosha e mesme e popullsisë nga 30 – 59 vjeç është pakësuar me 19 358 individë, duke konfirmuar fenomenin e emigracionit familjar. Dramën e emigrimit të rinjve e konfirmojnë edhe statistikat e arsimit, pasi në arsimin parauniversitar dhe universitet u regjistruan rreth 35 200 nxënëse më pak.

Sa i përket qarqeve, Fieri ka numrin më të lartë të larguarve në pesë vitet e fundit, ndjekur nga Elbasani dhe më pas Korça. Por, edhe pse kanë numër të lartë të larguarish Fieri dhe Elbasani vijojnë të japin një kontribut të lartë në prodhimin e brendshëm bruto të vendit, ndërsa jo e njëjta gjë mund të thuhet për Korçën, që edhe pse ka turizëm të zhvilluar vlera e shtuar në ekonomi është ndër më të ulëtat. Ndërkohë Tirana ka tashmë zyrtarisht të regjistruar 925 mijë banorë, ndërsa nga 2018 i janë shtuar 41 mijë banorë dhe vijon të mbetet lokomotiva e vendit. Shtesa në vlera të papërfillshme ka pasur edhe Durrësi.

Por, largimi i popullsisë është një problem që po e vuajnë edhe vendet e rajonit. Serbia që së fundmi zhvilloi CENSUSIN zbuloi se nga 2002 i janë larguar 850 998 banorë, ndërsa mosha mesatare në vend arriti në 43.8 vjeç, duke e bërë kështu një nga vendet me plakjen më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor.

Një studim i OECD në 2021-in tregonte se që nga vitit 1990 të paktën 4.8 milion njerëz të lindur në Ballkanin Perëndimor apo 1 e 5 e popullsisë tashmë jetonin jashtë vendit duke përbërë një diasporë të madhe.