Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 37 vjeç, banues në Kraps, Fier, pasi ditën e djeshme, në Roskovec, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin E. A., është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin F. Sh., 50 vjeç, banues në Berat dhe si pasojë u dëmtua shtetasi F. Sh., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit B. R., 59 vjeç, B. M., 57 vjeç, V. Gj., 58 vjeç dhe Xh. D., 47 vjeç, të katërt banues në Lushnjë dhe për shtetasit A. K., 55 vjeç, K. M., 59 vjeç, G. R., 63 vjeç, të tre banues në Fier, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar automjetet e tyre përkatëse, të papajisur me leje drejtimi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. Sh., 40 vjeç, banues në Grabian, pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin A. Ll., 50 vjeç. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi shtetasi L. D., 36 vjeç, banues në Roskovec, dyshohet se ka tentuar të presë damarët e duarve me mjet prerës. 36-vjeçari, pasi mori mjekim në spital, u largua për në banesë. Në Komisariatin e Policisë Lushnjë, shtetasja R. M., 62 vjeçe, banuese në Lushnjë, ka kallëzuar se vajza e saj, shtetasja A. M., 40 vjeçe, (sipas deklarimeve të së ëmës vuan nga probleme të shëndetit mendor), është larguar nga banesa më datë 04.10.2022 dhe nuk është kthyer më. Punohet për gjetjen e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.