Ballina Lajme Fier, parandalohet arratisja nga burgu i vrasësit serial, Dan Hutra dhe 3...

Fier, parandalohet arratisja nga burgu i vrasësit serial, Dan Hutra dhe 3 bashkëpunëtorëve të tij

106

Dështon tentativa për arratisje e vrasësit serial, Dan Hutra. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur të enjten se gjatë kësaj dite, rreth orës 11:25, në IEVP Fier, si rezultat i ndjekjes, mbikqyrjes, kontrollit dhe përdorimit të mjeteve teknike disa javore nga stafi i burgjeve, u kap në flagrancë duke tentuar për t’u arratisur i burgosuri me rrezikshmëri dhe histori kriminale, Dan Riza Hutra, i cili është autor i disa vrasjeve.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, plani kriminal për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar dhe në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë.

Plani për arratisje

Hutra dhe bashkëpunëtorët e tij kishin hartuar një plan klasik për arratisjen nga burgu. Në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara.

“Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Riza Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara. Të dhënat paraprake tregojnë për bashkëpunim ndërmjet të katër të burgosurve, për thyerje të sigurisë dhe tentativë arratisje. Prokuroria është duke kryer hetime për ngjarjen.”, thuhet në njoftim.

Hutra dhe të përfshirët e tjerë në këtë ngjarje

Në tentativën për arratisje janë përfshirë shtetasi Dan Hutra, lindur në Kukës dhe banues ne Kodër Kamëz, Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me histori të përsëritur kriminale. Me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, atij i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e  veprave penale, “Vrasje për shkak të mardhënieve familjare”, “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, si autor i dyshuar për vrasjen e katër personave.

Bashkëpunëtor i Hutrës kosniderohet edhe shtetasi Martin Kapllani, lindur dhe banues në Vlorë. Ky person me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”. Me akuzën si i dyshuar për arratisje nga burgu, këtij të fundit pritet ti rëndohet situata penale.

Edhe shtetasit Geraldo Veizaj, lindur dhe banues në Vlorë, pritet të klasifikohet në një akuzë më të rëndë nga ajo që ai mbahet në burg.  Me vendimintë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, atij i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”. Por nëse vërtetohet tentative për arratisje, ose bashkëpunimi, ai rëndohet nga masa të tjera penale.

Nga ana tjetër edhe ndaj shtetasit Feti Kovaçi, lindur dhe banues ne Vlorë, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me (Shkurtim-Vendimi), ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”.

Vrasjet nga Dan Hutra

Rreth 1 vit më parë tre gra u vranë ndërsa 3 të tjera u plagosën brenda pak minutash në Tiranë. Autori i ngjarjeve të ndodhura në tre zona të ndryshme të Tiranës ishte Dan Hutra, një 40 vjeçar nga Kukësi, por banues në Tiranë. Ngjarja tronditi kryeqytetin.

Rreth orës 14:30 policia konfirmoi vrasjen motrës dhe kunatës së ish bashkëjetueses së tij në Kodër Kamzë dhe plagosjen e ish bashkëjetueses së Dan Hutrës, nënës së saj dhe për vrasjen e një tjetër gruaje në Kamzë.
Një orë më vonë u njoftua se edhe një tjetër grua ishte plagosur me thikë tek zona e “Astirit” po nga Dan Hutra.

Policia ngriti dyshimet se krimet ishin kryer nga e njëjta dorë dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për arrestimin e autorit, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kishte vetëm dy javë që kishte dalë nga burgu pasi ishte arrestuar për dhunë në familje. Jo vetëm kaq, në 2007 ai kishte vrarë edhe bashkëshorten e tij.

Vrau 3 gra e 3 i plagosi brenda 30 minutave

Kërkimet zgjatën disa orë dhe autori u arrestua në zonën e Sharrës ndërsa policia në orën 19:30 doli me një deklaratë për të treguar dinamikën e ngjarjeve që tronditën Tiranën.

“Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece, banuese në Astir. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij. Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses). Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.”

Policia sqaron se për ngjarjen e parë të ndodhur në rrugën “Teodor Keko”, tek “Pallati me Shigjeta, Policia e Shtetit kishte marrë njoftim në orën 13:40 minuta, nga një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pra pas ndodhjes së dy ngjarjeve të tjera.

6 orët e arratisë

Policia ngriti pika kontrolli dhe u zhvilluan kontrolle të shumta të banesave dhe ambienteve të ndryshme ku mund të fshihej autori, pasi nga veprimet e para në vendngjarje, u bë i mundur identifikimi i tij.

“Më pas rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit Dan Hutra, së bashku me armën e krimit të tipit kallashnikov” njoftoi policia.

Sapo kishte dale nga burgu

Dan Hutra nuk ishte i panjohur për policinë ndërsa kishte vetëm 2 javë që kishte dalë nga burgu. Hera e fundit që ishte arrestuar ishte në 2022 për dhunë në familje ndërsa në 2007 kishte vrarë gruan.

“Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash. Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.”

Provat

Hetuesit sekuestruan prova materiale dhe morën në pyetje të plagosurat dhe dëshimtarë okularë, sekuestruan pamjet filmike, si dhe aplikuan metoda speciale të hetimit për të vërtetuar se si Dan Hutra ekzekutoi viktimat e tij me 18 plumba kallashnikovi.

“Është kryer ekspertimi balistik i gëzhojave të sekuestruara në të dy vendngjarjet dhe ka rezultuar se 12 gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz” dhe 6 gëzhojat e sekuestruara në Kamëz, janë të qitura nga e njëjta armë zjarri”.

Vrasjet tronditën shoqërinë duke ngjallur reagime, ndërsa Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimin e vendimeve gjyqësore ndaj Dan Hutrës.

Parandalimi

Stafi i sigurisë së burgut, informon se ka kryer kontrolle të hollësishme të elementëve të sigurisë, në të gjithë burgun.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përgëzon stafin e Instituconit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Fier, që falë profesionalizmit dhe devotshmërisë kanë ndaluar arratisjen e një të burgosuri me rrezikshmëri të lartë për publikun dhe sigurinë në përgjithësi.”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, garanton se stafi i shërbimit të burgjeve është në krye të detyrës, më i motivuar se kurrrë për të parandaluar çdo ngjarje dhe rrezik për rendin, sigurinë dhe  komunitetin.

/rtsh.al/