Familja Lalaj në fshatin Libofshë është një ndër modelet e shumta të bizneseve vendore në bashkinë e Fierit, që po shënojnë një frymë të re të shfrytëzimit të tokës bujqësore dhe mbarështimit të lopëve në drejtim të prodhimit të qumështit, por edhe përpunimin e tyre.
Sot, kjo familje ka arritur që të mbjellë rreth 200 hektarë tokë me drithin e grurit duke qenë kështu dhe një nga përfitueset e mbështetjes së programit qeverisë për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me kulturën e grurit. Përveç grurit nga këto sipërfaqe të mbjella sigurohet në këtë mënyrë baza ushqimore për 900 krerë të lopëve dhe viçave të racës ‘‘Holstein’’, një ndër racat më të mira që mbarështohen në vendin tonë dhe që dallohen për një rendimet të lartë të qumështit.
Nga lopët që kjo fermën mbarështon arrihet të sigurohen rreth 14 mijë litra qumësht në ditë duke qenë kështu një faktor për furnizimin e tregut vendas me produktet e tyre bio. Kjo për faktin pasi i kushtohet një rëndësi e veçantë trajtimit ushqimor më së shumti me silazhe bio të cilat ndikojnë dhe në cilësinë e qumështit. Gjithë krerët janë në një kontroll mjekësor dhe veteriner nga specialistë të kësaj fushe duke eleminuar problemet në shëndetin e tyre.
Tashmë në bashkinë e Fierit janë të shumta bizneset që kanë ngritur një cikël të mbyllur prodhimi në sajë të aktivitetit të tyre me një teknologji sipas standardeve të BE. Sot, kjo fermë ka të ngritur brenda ciklit të saj përpunimin e qumështit duke i siguruar tregut qumësht, kos dhe djathë, Ferma ‘‘Fshatçe’’ është një nga iniciativat e guximshme të fermerëve fierakë, por edhe të mbështetur nga investimet e bashkisë në drejtim të furnizimit më ujë të pijshëm, energji e pandërprerë, ashtu si dhe një faktor që ka ndikuar në rendimentet e larta janë avancimet në sistemin e kanalizimeve të vaditjes dhe kullimit që është një nga përparësitë e punës së bashkisë së Fierit./Tv Kombi/