Ballina Bota E rëndë në Sudan, persona të armatosur sulmojnë një laborator me viruse...

    E rëndë në Sudan, persona të armatosur sulmojnë një laborator me viruse vdekjeprurëse

    1

    Një nga palët ndërluftuese mori nën kontroll një biolaborator që përmbante patogjenët e lisë dhe kolerës në kryeqytetin sudanez, Khartoum.

    Kështu bëri të ditur sot Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila paralajmëroi se ekziston rreziku i lartë i rrezikut biologjik.

    Përfaqësuesi i OBSH-së nga Sudani, Nima Said Abid, tha se teknikët e organizatës nuk mund të hynin në Laboratorin Kombëtar për Shëndetin Publik për të garantuar sigurinë e materialeve të rrezikshme.

    “Ky është shqetësimi kryesor. Teknikët e laboratorit nuk kanë qasje në laborator për të paketuar materialet biologjike dhe substancat e rrezikshme në mënyrë të sigurt”, tha Abid, duke refuzuar të specifikojë se cila nga palët ndërluftuese e ka pushtuar objektin.

    Kujtojmë që luftimet në Sudan, shpërthyen midis Forcave të Armatosura sudaneze (SAF) dhe formacioneve paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) më 15 prill, dhe deri më tani të paktën 459 persona janë vrarë dhe 4,072 të plagosur, sipas të dhënave më të fundit të OBSH-së.

    Të paktën pesë punonjës të ndihmës humanitare janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve, e Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe Programi Botëror i Ushqimit kanë pezulluar aktivitetet e tyre në Sudan.

    Për shkak të luftimeve intensive, Zyra Humanitare e Kombeve të Bashkuara u detyrua të reduktojë disa nga aktivitetet e saj në pjesë të Sudanit.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha mbrëmë vonë se pas negociatave intensive në 48 orët e mëparshme, Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ranë dakord të vendosin një armëpushim 72 orësh nga mesnata.

     

    Top Channel