Ballina Vendi Dyfishimi i çmimit për patentat, qytetarët nxitojnë për të përfituar nga çmimet...

Dyfishimi i çmimit për patentat, qytetarët nxitojnë për të përfituar nga çmimet ekzistuese

1

Paralajmërimi për dyfishim të çmimeve për pajisjen me patentë për drejtimin e automjeteve, ka bërë që prej disa ditësh në Poliklinikën e qytetit të Korçës të krijohen radhë nga persona që duan të regjistrohen në kurse duke përfituar nga çmimet ekzistuese.

Më të shumtë në numër kanë qënë të rinjtë, të cilët kanë qëndruar për orë e ditë në radhë.

Burime pranë disa autoshkollave që operojnë në qytetin e Korçës bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve është shumëfishuar numri i regjistrimeve. Ndërsa më parë çdo ditë bëheshin rreth 2-3 regjistrime të reja, pas deklaratës për rritjen e çmimit për kursin teorik dhe praktik ka patur rreth 30 aplikime në ditë pranë autoshkollave.

Pak ditë më parë Shoqatat e Autoshkollave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Transportit Rrugor arritën një marrëveshje mes tyre. 
Në varësi të kategorisë marrja e patentës do të kushtojë nga dy deri në tre herë më shtrenjtë. Nëse sot për të marr lejen më të zakonshme të drejtimit, atë të klasit “B” një kursant duhet të paguajë rreth 45.000 lekë pa përfshirë kartonin apo dokumentet e tjera shëndetësore, kostoja do të rritet në 85.000 lekë.

Nga ana e  tij Autoriteti i Konkurrencës ka nisur shqyrtimin me detaje të marrëveshjes, pas ankesave. Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, tarifat apo çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.

/ rtsh.al /