Ballina Vendi “Duaje veten dhe protesto!”

“Duaje veten dhe protesto!”

1

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, vajzat dhe gratë shqiptare janë ngritur në shenjë proteste para Kryeministrisë për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre, por edhe fuqizimin e ligjit për mbrojtjen e jetës së gruas, ku vetëm para pak ditësh 3 prej tyre u vranë dhe 3 të tjera u plagosën në kryeqytet.

Gruaja është forca zhvilluese e një shoqërie demokratike dhe respektimi i të drejtave të saj do të sjellë stabilitet dhe zhvillim për vendin. Me këtë mesazh dhe me pankarta në duar në një protestë paqësore, vajzat dhe gratë kërkojnë që gratë të bashkohen dhe zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet dhe shoqëria, të cilat shpesh kanë tentuar ta bëjë të heshtë.

“Dhuna është streha e fundit e dështakëve”, “Duaje veten” “Asnjë grua e vajzë më pak dhe asnjë vdekje më shumë”, “ Të ngremë zëri për gratë që s’munden” “s’duam lule, duam te drejta”, ishin disa nga mesazhet që sot u dhanë në emër të grave të gjithë Shqipërisë.

Për mbarëvajtjen e kësaj prostate ishin caktuar efektive gra, të cilave iu dhurua një lule mimoze.

Forca e gruas është e pamohueshme në zhvillimin e botës, edhe në vendin tonë që është ende në zhvillim ka ende shumë për të bërë lidhur me barazinë gjinore, të drejtat e gruas dhe zhvillimin e tyre në shoqëri.

/rtsh.al/