Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fjalën e tij në Kuvend gjatë interpelancës për “Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend”, pas dorëheqjeve të disa prej zyrtarëve serbë të Policisë, deklaroi se arsyet janë tërësisht politike. Kurti sqaroi se dorëheqja e zyrtarëve të policisë nuk ishte as vendim i Kryeministrit dhe as i Ministrit të Brendshëm. Sipas Kurtit, teksti i dorëheqjes së zyrtarëve serbë ishte i njëjtë, ndërsa u bëri thirrje serbëve nga foltorja e Kuvendit që të mos braktisin institucionet.
“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike. Për bindjen time, për arsye të paqena, thoshin morale e individuale e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre.
E njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht bashkë secilin prej tyre, me tekstin identik te dorëheqjes. Ky është vendim politik. Tash unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktisë institucionet. Kjo është thirrja ime e vazhdueshme. E tillë do të jetë edhe në ditët në vijim. Institucionet nuk janë të qeverisë dhe të një komuniteti, janë të të gjithë qytetarëve të Republikës”, tha Kurti.
Më tej ai shtoi se vakumi i krijuar si pasojë e dorëheqjes së zyrtarëve serbë teë Policisë duhet të plotësohet. Për këtë, theksoi Kryeministri, qeveria do angazhohet që Policia e Kosovës të jetë në gjendje maksimale të gatishmërisë për të gjithë qytetarët.
“Mirëpo, aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre që i duan ato vende pune. Natyrisht të gjithë janë të mirëseardhur.
Por këtë nuk e vendos as kryeministri, as ministri i brendshëm, pra kjo rregullohet sipas rregullores së brendshme dhe rregullores së Policisë së Kosovës që vlejnë për të gjithë zyrtarët. Ne do angazhohemi që Policia e Kosovës të jetë në gjendje maksimale të gatishmërisë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, feje, moshe e gjinie”, tha Kurti.
/rtsh.al/