Ballina Bota Ditë tragjike pas referendumit për aneksim/ Sulm me raketa në Zaporizhzhia, të...

    Ditë tragjike pas referendumit për aneksim/ Sulm me raketa në Zaporizhzhia, të paktën 30 viktima e dhjetra të plagosur

    1

    UKRAINË- Ditë tragjike në Ukrainë. Të paktën 30 persona janë vrarë dhe 80 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me raketë që ka goditur një konvoj me makina civile afër qytetit ukrainas Zaporizhja, ka thënë Policia e Ukrainës.

    Më herët guvernatori rajonal, Oleksandr Starukh ka publikuar fotografi të makinave të djegura dhe trupave të shtrirë nëpër rrugë. Starukh ka thënë se ekipet e shpëtimit janë në zonën e sulmit.

    Sipas tij, konvoji ka qenë në rrugë për në territorin e pushtuar nga Rusia, meqë vozitësit kanë dashur të marrin familjarët e tyre dhe t’i dërgojnë në vende të sigurta. Rusia nuk e ka komentuar këtë sulm, i cili ka ndodhur në ditën kur Moska aneksoi katër rajone ukrainase, përfshirë Zaporizhjan.

    Ky vendim pason referendumet e rreme që kanë mbajtur zyrtarë të instaluar nga Rusia në katër rajonet ukrainase – Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – të cilat janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

    Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Marrë nga REL