Nuk ka qetësi në vend. Vrasjet janë bërë rutinë e përditshme në Shqipëri, çka tregon pasigurinë e madhe që po përjetojmë. Po të llogarisësh edhe aksidentet automobilistike, duket sikur jemi në luftë ne dhe jo Ukraina me Rusinë, për nga numri i viktimave.
Kështu, dita e sotme ka nisur me një ngjarje të rëndë. Mëngjesin e hershëm, një vrasje ka ndodhur në Vaun e Dejës. Sipas burimeve policore, rreth orës 03:00 të mëngjesit të kësaj të marte, 37-vjeçari Alfons Palushani ka qëlluar për vdekje me armë zjarri shtetasin Agron Metushi, 51 vjeç.
Hetimet po zhvillohen në venmdin e ngjarjes, ndërsa informacionet e para bëjnë me dije se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë një konflikt i çastit mes autorit dhe viktimës.
Duket se debati në lokalin e fshatit i ka nxehur së tepërmi gjakrat, me siguri edhe pija në një orë të tillë të pazakontë, ndaj 37-vjeçari Palushani ka shkuar në banesë dhe ka marrë kallashnikovin.
Është kthyer aty menjëherë dhe e ka gjetur Metushin duke hipur në makinë për t’u larguar. Pa menduar dy herë, ai e ka qëlluar 51-vjeçarin me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Policia po kryen kontrolle në zonë për të arrestuar autorin e këtij krimi të rëndë.
Ndërkohë, një person tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri në autostradën Milot-Thumanë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Laçit, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një personi. Nga të dhënat paraprake mësohet se i plagosur ka mbetur Besim Zeneli. Policia vijon hetimet për të hedhur dritë çfarë ka ndodhur.