Kombëtarja angleze e futbollit për femra ngriti trofeun e tyre të parë të madh në histori kur mposhtën Gjermaninë pas kohës shtesë në stadiumin ‘Uembli’ të mbushur plot të dielën. Zëvendësuesja e “luaneshave”, Ela Tun zhbllokoi rezultatin me një gol të shkëlqyer para se gjermania Lina Magull të barazonte për të çuar finalen në kohën shtesë. Ishte një tjetër zëvendësuese, Kloe Kelli, e cila e shkroi emrin e saj me shkronja të arta në historinë e Anglisë, duke shënuar golin e fitores në ‘Euro 2022’.
Një nga fitueset në këtë triumf historik ishte Fran Kirbi e cila luan me Çelsin dhe së fundmi u diagnostikua me një problem në frymëmarrje. Fran Kirbi zbuloi për ndjekësit e saj se mbante një maskë oksigjeni, për shkak të problemeve shëndetësore. U njoftua në shkurt se sulmuesja do të lihej jashtë fushës për një “periudhë të pacaktuar kohore” për shkak të lodhjes dhe rraskapitjes ekstreme që i shkaktonte sëmundja.
Kirbi nuk luajti për blutë para fundit të sezonit, por e kishte bindur trajneren e Anglisë, Sarina Viegman se ajo ishte e gatshme për turneun e kësaj vere. Vendosmëria e saj për të luajtur sërish për Anglinë i ka dhënë tani një medalje dhe emri i saj është gdhendur si një fener shprese për futbollistët e rinj që ëndërrojnë të luajnë për “tre luaneshat” në të ardhmen. /PanoramaPlus