Policia Dibër ka reaguar, në lidhje me një lajm të publikuar në media e rrjete sociale, ku pretendohej se policia e këtij qyteti ka arrestuar tre shtetas, punonjës të bashkisë, për shpërndarje të vlerave monetare për përfitime elektorale. Lidhur me këtë lajm policia sqaron se “ky lajm është i pavërtetë”.
Sipas policisë, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ka ardhur një telefonatë nga shtetasi I.U, kandidat për kryetar Bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi pretendonte se në ‘Lagjen e Re’, të qytetit të Peshkopisë, kishte konstatuar tre shtetas që dyshonte se këta po shpërndanin vlera monetare për blerje votash.
“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, si dhe është njoftuar Prokurori i gatshëm në lidhje me pretendimet e shtetasit I.U. Po në lidhje me pretendimet e shtetasit I.U, u ngrit menjëherë grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit, kreu një sërë veprimesh procedurale, si kqyrja e kamerave të një subjekti ku pretendonte kandidati dhe verifikimi nga Prokurori, i banesës së shtetasit E. LL, ku gjatë kontrollit të kryer nuk u konstatua asnjë send i kundraligjshëm, apo që lidhet me pretendimet e shtetasit I.U. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në DVP Dibër shtetasin E.LL, 33 vjeç, dhe dy shtetaset që ishin me të konkretisht S.Z., 37 vjeçe; E.D., 22 vjeçe, dhe pas marrjes në pyetje nga Prokurori, në përfundim të shpjegimeve të dhëna janë lënë të lirë.”- thuhet në njoftim.
Prokuroria: Asgjë e paligjshme, të tre shtetasit janë lënë të lirë
Edhe prokuroria Dibër, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ka hedhur poshtë pretendimet për blerje votash.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër informon se pasi është njoftuar nga ana policies, lidhur me denoncimin e shtetasit I. U., kandidat për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, se në një banesë në “Lagjen e re” në Peshkopi, se po shpërndahen lekë për blerje votash, ka nisur një grup hetimor i kryesuar nga prokurori i gatshëm.
“Pasi është marrë kontakt me punonjësit e Policisë së Shtetit, e cila kishte mbërritur në vendngjarje janë nisur veprimet procedurale. Bazuar në pretendimin e denoncuesit janë kqyrur pamjet e kamerave të sigurisë së një subjekti privat. Nga pamjet nuk është konstatuar asgjë e paligjshme. Është kryer kontrolli i banesës të shtetasit E.LL., 33 vjeç, ku pretendohej se shpërndaheshin lekë. Ky shtetas ka qenë në banesën e tij private bashkë me dy shtetase të tjera, S.Z., 37 vjeç dhe E.D., 22 vjeç, me të cilat ka lidhje familjare. Gjatë kontrollit të banesës nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm apo provë që të vërtetonte pretendimet e denoncuesit I.U. Të tre këta shtetas janë shoqëruar në Komisariatin e Policise Dibër ku janë marrë në pyetje. Pasi kanë dhënë shpjegimet dhe nuk ka rezultuar asgjë e paligjshme, të tre janë lënë të lirë.”- informon Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër.
/rtsh.al/