Ballina Lajme Deklarata kundër emigrantëve shqiptarë, ministri britanik: S’jam penduar! Respektojmë diasporën dhe ata...

Deklarata kundër emigrantëve shqiptarë, ministri britanik: S’jam penduar! Respektojmë diasporën dhe ata që vijnë legalisht

1

Pavarësisht reagimeve të ashpra, Ministri britanik i Shtetit për Imigrimin, Robert Jenric ka thënë se nuk është penduar për gjuhën e përdorur ndaj shqiptarëve, në një video të publikuar prej tij. Teksa shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare, Jenric deklaroi se duhet bërë një dallim mes diasporës shqiptare dhe atyre që shkojnë legalisht në Britani, për të cilët tha se gëzojnë respekt, dhe atyre që mbërrijnë atje ilegalisht me varka të vogla.

Nuk jam penduar për videon, por mendoj se është e rëndësishme që të punojmë në mënyrë konstruktive me qeverinë shqiptare ashtu siç po ndodh në të vërtetë. Dua të kemi marrëdhënien më produktive që mundemi me qeverinë shqiptare. Ajo që ne duhet të jemi në gjendje të dallojmë është diaspora shqiptare në këtë vend, të cilën ne e respektojmë dhe dëshirojmë të punojmë sa më afër që të mundemi, dhe ata që zgjedhin të vijnë këtu legalisht dhe ata që vijnë këtu ilegalisht me varka të vogla. Është absolutisht e drejtë që qeveria ka një qëndrim shumë të fortë për këtë dhe është një fokus i veçantë i kryeministrit për të ulur dukuritë që pamë vitin e kaluar që ishte një numër shumë i madh i shqiptarëve që erdhën ilegalisht. Shqipëria është një vend i sigurt!”, u shpreh Jenric.

Në një video të publikuar, teksa vlerësoi ata që ndalojnë emigrantët e paligjshëm shqiptarë në Britani, Ministri britanik, u shpreh se emigrantët shqiptarë po kthehen në kriminelë të rrezikshëm dhe arsyen e problemeve të Britanisë së Madhe. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka reagoi menjëherë, duke e konsideruar gjuhën e përdorur nga ministri britanik si diskriminuese, ndërsa i dorëzoi notë verbale Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri Alastair King Smith.

/rtsh.al/