Dan Hutra kërkoi të vriste të vëllain e Vladimir Kurtit, por nuk e gjeti në banesë ditën e masakrës së trefishte më 1 Mars ku u vranë tre gra dhe u plagosën tre të tjera.
Kështu thuhet në dosjen hetimore, të cilën Tv Klan disponon. Në të sqarohet se fillimisht 40-vjeçari ka kërkuar në banesë për vëllain e Vladimirit, por pasi nuk e ka gjetur në oborrin e shtëpisë ka hasur rastësisht të motrën e tij, Etlevën.
“Ka kontrolluar banesën që të gjente vëllain e Vladimirit dhe pasi nuk ka gjetur njeri në banesë, ka dalë në pjesën e pasme të oborrit ku ka venë re nënën e Vladimirit dhe rreth 5-6 metra i është shfaqur një vajzë rreth dy metër larg të cilën e ka njohur si motrën e Vladimirit dhe e ka pyetur për konfirmim. Ajo ka tundur kokën duke aprovuar dhe në këto momente Dani ka qëlluar me automatik rreth 5-6 herë në drejtim të saj.”
Referuar burimeve, 40-vjeçari, nuk ka patur dijeni për vendbanimin e vëllait të Vladimirit. Sipas informacioneve ai jeton në një shtëpi tjetër në zonën e Kamzës e jo aty ku u vra 31-vjeçarja, Etleva Kurti.
Pasi kreu vrasjen e kësaj të fundit, Hutra u largua në drejtim të Sharrës ku do të kryente dhe ekzekutimin e katërt.
40-vjeçari tregoi përpara hetusve të gjithë kronologjinë e masakrës së 1 Marsit, ndërsa në seancën gjyqësore ku u la në masën ‘arrest në burg’, Dan Hutra nuk shprehu asnjë pendesë për vrasjen e 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave mes të cilëve dhe ish-bashkëjetuesja e tij.
Tv Klan