Ballina Lajme Covid-19/ OBSH jep lajmin e mirë: Rreth 90% e popullsisë në botë...

Covid-19/ OBSH jep lajmin e mirë: Rreth 90% e popullsisë në botë ka fituar imunitet

1

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 90% e popullsisë botërore tani ka arritur imunitet ndaj Covid-19, por ende ekziston mundësia e shfaqjes së një varianti të ri.

“OBSH vlerëson se të paktën 90% e popullsisë së botës tani ka njëfarë niveli imuniteti ndaj Sars-CoV-2, për shkak të infeksionit ose vaksinimit të mëparshëm”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Drejtori i OBSH ka bërë më dije se boshllëqet në mbikëqyrje, testim, sekuencë dhe vaksinim po vazhdojnë të krijojnë kushtet perfekte për të shfaqur një variant të ri që mund të shkaktojë vdekshmëri të konsiderueshme.

Tedros rikujtoj se fundjavën e kaluar u bë një vit që kur organizata njoftoi Omicron si një variant të ri në pandeminë Covid-19, i cili ka treguar dukshëm se është më i transmetueshëm se paraardhësi i tij, Delta.

Javën e kaluar, studimi më i fundit rreth përforcuesve të vaksinës kundër Covid, tregoi se vaksinat e reja nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna ka të ngjarë të ofrojnë mbrojtje më të mirë krahasuar me vaksinat origjinale.

Studimi i më shumë se 360,000 njerëzve tregoi se përforcuesit ofrojnë mbrojtje të shtuar kundër varianteve të reja te njerëzit që kanë marrë më parë deri në katër doza të vaksinës së vjetër.

Tedros tha se më shumë se 8,500 njerëz u regjistruan se kishin humbur jetën nga Covid javën e kaluar, gjë që sipas tij nuk është e pranueshme tre vjet pas pandemisë, kur kemi kaq shumë mjete për të parandaluar infeksionet dhe për të shpëtuar jetë.

(BalkanWeb)