Nuk është hera e parë, e për fat të keq as e fundit, që dëgjojmë raste makabre keqtrajimi të fëmijëve nga prindërit. Këta të fundit, herë nën efektin e substancave narkotike e herë nën trysninë e çrregullimeve të shëndetit mendor, kryejnë akte nga më çnjerëzoret. Por, ngjarja e mëposhtme kalon çdo kufi të normales dhe vë në pah se deri ku mund të shkojnë njerëzit kur ndjekin pikëpamjet e gabuara.
Një çift rus është arrestuar së fundmi pasi nuk ushqyen foshnjën e tyre të porsalindur. 33-vjeçarja Oxana Mironona, e cila po gjykohet veçmas nga partneri i saj, u tha autoriteteve: “Bashkëshorti im donte të eksperimentonte me fëmijën, ta ushqente ekskluzivisht me diell dhe më pas t’u reklamonte të tjerëve se kështu mund të ushqeheni”.
Influencuesi Maxim Lyutyi donte ta rriste të porsalindurin me metodën e Pranayama-s, një dietë në të cilën njerëzit qëndrojnë pa ushqim dhe ujë për një kohë të gjatë dhe “ushqehen me diell”. Ai akuzohet gjithashtu për pengimin e Mironova-s për të ushqyer fëmijën me gji.
Kushërira e Oksana-s tregoi për mediet vendase: “Oksana përpiqej të ushqente fshehurazi fëmijën me gji, por kishte shumë frikë nga Maxim. Si është e mundur të ushqehet foshnja me rrezet e diellit? Fëmija ka nevojë për qumështin e nënës. Kur vendosën ta çonin djalin te mjekët, ishte tepër vonë dhe ai vdiq rrugës.”