Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në një palestër në jug të Peskarës, ku një 21-vjeçare është sulmuar me shqelma dhe grushte nga një 50-vjeçar shqiptar.
E reja që u dhunua ka përfunduar me trauma dhe plagë, duke u dërguar me urgjencë në spitalin “Santo Spirito”, ndërsa mediat italiane raportojnë se ajo nuk ka bërë ende një denoncim në polici pasi është “shumë e frikësuar” nga çfarë i ka ndodhur.
Episodi i rëndë i dhunës është regjistruar rreth orës 15:30 të së enjtes së 28 korrikut dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë brenda palestrës.
Fillimisht, shqiptari, i cili kishte punuar si oficer i sigurisë në disa klube nate në bregdetin e Peskarës, e godet krejt papritur me grusht në fytyrë të renë që ishte duke ngritur pesha në një stol pranë tij.
Ende është e paqartë se çfarë e ka shtyrë 50-vjeçarin të shpërthej me tërbim ndaj vajzës, por një dëshmitar ka deklaruar se ai ka tentuar madje të përdorë girat për ta goditur atë.