Berlini është kryeqendra e futbollit të dielën aty ku luhet finalja e madhe e kampionatit evropian mes Anglisë dhe Spanjës. Dy gjigantët e futbollit botëror përballen me njëri-tjetrin me synim fitoren e trofeut. Atmosfera do të jetë spektakolare, ndërsa qindra mijëra tifozë kanë udhëtuar drejt kryeqytetit për të shijuar magjinë që futbolli ofron.
Mediat britanike i kanë kushtuar një artikull çmimeve të cilat janë rritur si me magji në një kohë të shkurtër. Dhomat e hoteleve apo apartamentet janë të gjithë të prenotuara, ndërkohë që një dhomë me pamje nga qyteti ka kapur vlerën e 500 eurove. Sa i përket çmimit të biletave të avionit, për të shkuar nga Britania e Madhe drejt Gjermanisë do të duhet të paguhet rreth 700 euro, ndërsa interesi ka qenë tejet i madh. Olympiastadion është stadiumi që do të presë finalen, ndërsa sipas statistikave të publikuara më tepër se gjysma është në dispozicion të anglezëve, të cilët raportohet të kenë blerë më tepër se 35 mijë bileta. Një numër i madh dhe i mbështetësve të furisë së kuqe, të cilët synojnë të vendosin rekordin sa i përket trofeve të fituar në Evropian. Finalja luhet në orën 21:00, ndërsa pritet të ndiqet nga një numër i madh tifozësh jo vetëm në kontinentin e vjetër, por në mbarë botën.