U konfliktuan fizikisht me punonjësit e qarkullimit rrugor, vihen në pranga 2 shtetas pronarë të një subjekti, për dhënien me qera të mjeteve elektrike.
2 të arrestuarit ushtronin aktivitetin e tyre pa licensë duke zaptuar hapësirën publike.
Punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.
Mbrëmjen e djeshme në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin D. J., në kundravajtje, të cilin e kanë ndaluar. Gjatë komunikimit të kundravajtjes dhe masës administrative, janë afruar dy pronarët e subjektit ku shtetasi D. J. kishte marrë motorin elektrik me qera, konkretisht shtetasit R. P. dhe K. P., të cilët së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grushta. Si pasojë e konfliktit, dy punonjës policie aktualisht ndodhen në spitalin e Vlorës, pasi kanë pësuar fraktura, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve proceduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.
2 shtetasit e arrestuar, pronarë të subjektit për dhënien me qera të mjeteve elektrike, gjithashtu kanë rezultuar se e ushtronin këtë aktivitet pa licensë, duke zaptuar hapësirën publike.
Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe t’i përgjigjen urdhrave të punonjësve të Policisë për të shmangur incidente të tilla të papranueshme. Bashkëpunimi me Policinë është thelbësor për të garantuar sigurinë dhe rendin publik në qytet.
Top Channel