Enkelejd Alibeaj, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, bëri të ditur se deputetët demokratë janë gati të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me plotësimin e boshllëkut ligjor, sa i përket cënimit të votës së emigrantëve.
Sipas Alibeajt, shqiptarët kudo ku janë kanë të drejtë, por dhe përgjegjësi që të përcaktojnë qeverisjen që ata duan.
“Edi Rama mund t’i dëbojë nga vendi përkohësisht, por PD do të bëjë çdo gjë që Shqipëria të jetë vendi ku shqiptarët të duan të jetojnë dhe të kthehen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e votës së emigrantëve, është një fitore e madhe për shqiptarët dhe votën e lirë në Shqipëri. Njëkohësisht, ky vendim është një grusht për zgjedhjet e vitit 2021, të cilat me plot gojën mund të quhen antikushtetuese.”- shkruan Alibeaj në rrjetin e tij social Facebook.
Sipas tij, për Partinë Demokratike, ky vendim është dëshmi e asaj që është thënë në krye të herës, se mohimi i të drejtës së votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, “është cenim i të drejtës kushtetuese të votës”.
“Gjithashtu, ky vendim është dëshmi tashmë Kushtetuese, që zgjedhjet e shkuara janë një pasqyrim jo real i votës dhe rrjedhimisht janë zgjedhje të cilësuara tashmë zyrtarisht antikushtetuese. PD e përshëndet këtë vendim dhe ofron të gjithë gatishmërinë e saj për të mundësuar që në zgjedhjet e ardhshme të drejtën e votës së mohuar për emigrantët shqiptarë. Ne jemi të angazhuar maksimalisht që në Reformën e re Zgjedhore të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. PD ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë parti e votës së lirë, për çdo shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë.”- deklaron Alibeaj.
Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin, sipas të cilit, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, u cënua e drejta kushtetuese e votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese nënvizon se ky cënim i votës ka ardhur për shkak të boshllëkut ligjor, duke i caktuar Kuvendit detyrimin ligjor që brenda një viti ta plotësojë këtë boshllëk.
Gjykata Kushtetuese e mori këtë vendim pasi shqyrtoi në seancë plenare, mbi bazë të dokumenteve, kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt: “Konstatimi i cënimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021”.
/rtsh.al/