Policia Kufitare Sarandë bëri të ditur se ka arrestuar në flagrancë një 16- vjeçar, i cili, kundrejt pagesës, transportonte me automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, 3 emigrantë të paligjshëm. Qëllimi këtij transporti ishte kalim i paligjshëm i kufirit.
Policia bëri të ditur se 16-vjeçari i arrestuar, ishte përsëritës në fushën e kësaj veprimtarie kriminale.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Sarandë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, në aksin rrugor “Sarandë-Lukovë”, në vendin e quajtur “Burimi i Volloderit”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 16 vjeç, banues në Sarandë, pasi u kap duke transportuar me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, 3 shtetas të huaj, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.”- thuhet në njoftim.
Shtetasi F. M. ishte me masë sigurie të caktuar nga Gjykata, “Detyrim paraqitjeje”, pasi një javë më parë ishte arrestua në flagrancë nga Policia, duke transportuar kundrejt fitimit, 4 emigrantë, për të kaluar kufirin në mënyrë të kundërligjshme, me një automjet të cilin e drejtonte sërish pa leje drejtimi.
“Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufijve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.”- përfundon njoftimi i policisë.
/rtsh.al/