Prej disa javësh në qendër të njësisë administrative Cakran vijon puna për zbatimin e projektit për rikualifikimin urban të qendrës së Cakranit. Këto punime janë inspektuar nga kryebashkiaku Armando Subashi bashkë me përfaqësuesin politik të qarkut, deputetin socialist Taulant Balla.
Kryebashkiaku Subashi gjatë inspektimit është takuar dhe ka shkëmbyer biseda me banorët të cilët ndihen të kënaqur nga ky investim. Në projekt parashikohet ndërtimi i një shëtitoreje, vendosja e ndriçimit dhe mjediseve shlodhëse, shtimi i gjelbërimit, etj, në të gjithë sipërfaqen e qendrës.
Punimet po kryehen jo vetyëm në sipërfaqe në krijimin e pedonales me rrugë, trotuare të shtruara me pllaka, por edhe në punimet nëntokësore të linjave të energjisë, rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, rrjeteve ekzistuese telefonike e të çfarëdo lloji tjetër.
Ndërkohë që po punohet për shpronësimet e ndërtimeve të cilat janë prekur nga ky projekt. Me përfundimin e punimeve të pedonales synohet në kthimin e kësaj zone në një qendër rekreative, e cila do të jetë e dedikuar vetëm për banorët e tij, sepse lëvizja e makinave do të jetë e mbyllur.
Pritet që në pranverën e ardhshme qendra e Cakranit të ketë një pamje krejt ndryshe, moderne dhe funksionale për 20 mijë banorët e kësaj njësie administrative. Falë këtij investimi, Cakrani bëhet qendra e parë rurale në Bashkinë e Fierit, që ofron për banorët një stil jetese ndryshe dhe për vizitorët një fshat model pritës./Tv Kombi/