Ballina Bota Botërori i futbollit, presidenti i FIFA-s apelon për një armëpushim një mujor...

    Botërori i futbollit, presidenti i FIFA-s apelon për një armëpushim një mujor në Ukrainë

    1

    Presidenti i Organizatës Botërore të Futbollit ka bërë thirrje të martën për një armëpushim një mujor në Ukrainë për të gjithë kohën që do të zhvillohet Kupa e Botës, duke thënë se sporti mund t’i bashkojë njerëzit. 

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, duke iu drejtuar udhëheqësve të Grupit të 20 ekonomive kryesore të mbledhur në Bali, tha se Botërori që nis të dielën në Katar mund të shërbejë si një “mundësi pozitive” për luftën nëntë mujore të shkaktuar nga Rusia në Ukrainë. “Lutja ime për të gjithë ju është që të mendoni për një armëpushim të përkohshëm për një muaj të paktën, për kohëzgjatjen e Botërorit” – u tha Infantino liderëve të G20. “Nëse jo një armëpushim i plotë, mund të ketë një zbatim të disa korridoreve humanitare ose çdo gjë që mund të çojë në rifillimin e dialogut,” – tha ai. 

    Duke e përshkruar futbollin si unifikues, ai vuri në dukje se Rusia kishte pritur Kupën e Botës 2018 dhe se Ukraina po paraqet një ofertë të përbashkët me Spanjën dhe Portugalinë për Botërorin e vitit 2030. “Ne nuk jemi naivë të besojmë se futbolli mund të zgjidhë problemet e botës” shtoi  Infantino. “Por Kupa e Botës ofron një platformë unike, ku rreth pesë miliardë njerëz, më shumë se gjysma e njerëzimit, pritet të shikojnë në televizor ndeshjet dhe spektaklin që ofron vetëm Botërori duke përcjellë mesazhin që futbolli bashkon. Le të shfrytëzojmë këtë mundësi për të bërë gjithçka që mundemi për të filluar t’i japim fund të gjitha konflikteve,” tha ai.