Komiteti i Emergjencave të Fatkeqësive (DEC) i cili bashkon 15 organizata kryesore bamirëse të ndihmave në Britaninë e Madhe ka mbledhur mbi 50 milionë paund në dy ditë, në një përpjekje për të mbështetur viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri, njofton ATSH.
Numri i të vdekurve nga fatkeqësia, e cila ndodhi në orët e para të së hënës së 6 shkurtit, i ka tejkaluar 25 000, ndërsa me mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur ose të pastrehë.
DEC njoftoi se ka mbledhur 52.8 milion paund në dy ditë, duke përfshirë një ndihmë prej 5 milion paundësh nga Qeveria e Britanisë së Madhe.
Temperaturat nën zero gjatë natës, po prekin ata që kanë humbur banesat dhe lëkundjet janë ndjerë ende në zonë.
Në Turqi, CARE International ka shpërndarë rroba dimërore, batanije, gjeneratorë, ushqime dhe ujë të pijshëm. Në Siri, ajo do të përdorë fondet e DEC për të shpërndarë artikujt thelbësorë, duke përfshirë tenda dhe batanije të ofruara nga Qeveria e Britanisë së Madhe.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit po punon me partnerët për të mbështetur spitalet dhe shërbimet e tjera të kujdesit shëndetësor, si dhe për të ofruar sende shtëpiake për të plagosurit dhe të pastrehët. ( Sipas ATSH )