Ngritja e bizneseve të agropërpunimit në bashkinë e Fierit është një realitet dhe që ka njohur një rritje të llojeve të tyre duke filluar nga përpunimet e perimeve si specat, domatet, por shkuar edhe më tej në drejtim të përpunimit të mishit të gjedhëve dhe të imtave, të shpesëve, por edhe të përpunimit të qumëshitit.
Sot, tregu shqiptar si ai lokal në bashkinë e Fierit, por edhe në mbarë Shqipërinë konsumojnë prodhime të përpunuara me etiketë të firmave dhe bizneseve të bashkisë së Fierit. Plotësimi i kushteve në drejtim zhvillimit të bizneseve ka bërë të mundur që shumë emigrantë fierakë nga vendet fqinje, në mënyrë të veçantë si Greqia dhe Iltalia, kanë kthyer sytë për të investuar në vendin e tyre të lindjes.
Është mëse evidente sot që shumë nga financat e tyre, shumë nga eksperiencat e fituara nga vitet e emigrimit, por edhe me bashkëpunimet e huaja, janë zbatuar dhe kanë marrë jetë pikërisht në bashkinë e Fierit. Janë disa biznese të përpunimit qumështit në këtë bashki të cilat grumbullojnë qumështin e fermerëve duke zgjidhur kështu dhe tregtimin e tyre në mënyrë individuale.
Po ashtu në drejtim të mishit ushtrojnë aktivitetin e tyre biznese që kanë krijuar edhe emrin e tyre në prodhimin e sallamerisë. Një tjetër biznes është dhe ai i ngritjes dhe funksionimit të industrisë së përpunimit të grurit dhe misrit. Në këto biznes përdoren teknologji moderne të përpunimit të grurit dhe misrit, prodhimin e llojeve të ndryshme miellit duke filluar nga mielli i grurit për përdorim të përditshëm ashtu si dhe në llojet më të mira të mira të miellit për pastiçeri, pica në rreze 00. Por ajo që vlen të përmendet dhe në këtë drejtim është fakti që synohet përpunimi i grurit vendas.
Prodhimi i miellit i nënshtrohet kontrollit të cilësisë duke bërë prodhimin e bukës nga mielli i bluar për të garantuar cilësinë sa më të mirë të prodhimeve të brumit. Për zhvillimin e industrisë së përpunimit të drithit kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi ka bërë të ditur iniciativën e bashkisë së Fierit për të ndërtuar këtë vit një pikë grumbullimi të drithërave me sillosat dhe pajisjet e tharjes në sasinë e nëntë mijë tonëve. Sipas tij do të jenë gjashtë sillosa me nga 1500 ton secila. Shtimi i sipërfaqeve të mbjella me grurë është një zhvillimin pozitiv që do të ndikojë dhe për këtë industri.
/Tv Kombi/