Ish-kryeministri Sali Berisha, ashtu siç pritej, ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën e tij për t’u vënë edhe një herë në krye të Partisë Demokratike. Ai pati edhe një mesazh për SHBA që e ka shpallur ‘non grata’ kur tha se Amerika dhe sidomos e majta e saj në pushtet, nuk mund të caktojë kryetarin e opozitës, por këtë e bëjnë demokratët me votën e tyre të lirë.
Ndërsa 7 maji është afti i fundit i dorëzimit të dokumentacionit për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, Berisha tha se ende nuk i ka dorëzuar ato, por do ta bëjë këtë gjë në ditët në vijim.
Ish-Kryeminisri Berisha tha se e majtja amerikane nuk do të mund të përcaktojë kryetarin e forcës konservatore, demokratike në Shqipëri.
“Loja me kukulla nuk funksionon në Shqipëri”, tha Berisha duke iu referuar disa takimeve të zyrtarëve amerikanë me deputetë të PD, pak ditë më parë në Kuvend.
“E majta shqiptare, e SHBA dhe e mbarë botës nuk do të mund të caktojnë kryetarin dhe udhëheqjen e forcës demokratike të Shqipërisë, kurrë”, tha Berisha në konferencë me gazetarët.
Ai tha se demokratët do të bëjnë Ramën që të njohë PD-në e vërtetë.
“Në një hark të shkurtër kohor shoqëria shqiptare pa dy kuvende. Ndoqi dhe pa Kuvendin e partisë. Do ta bëj Edi Ramën të na njohë dhe të na njoh mirë. Këtu do jemi”, tha Berisha.
Më 22 maj, Kuvendi i 30 prillit mbledhur nga Komisioni i Rithemelimit të PD vendosi që më 22 maj të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike.