Ballina Vendi BE: Situata në veri të Kosovës e brishtë, palët të zbatojnë marrëveshjet...

BE: Situata në veri të Kosovës e brishtë, palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura nga dialogu

3

Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Massrali ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që me qetësimin e situatës në veri, palët t’i rikthehen dialogut.

Zëdhënësja e BE tha se situata në veri të Kosovës mbetet e brishtë dhe për këtë dy vendet duhet të nisin implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut si e vetmja mënyra për të ruajtur qetësinë dhe paqen në rajon.

Massrali tha se EULEX vijon të monitorojë situatën për të evituar veprimet që kanë potencial për të kthyer në dhunë.

“Ne kemi mirëpritur qetësimin e tensioneve dhe largimin e barrikadave në veri të Kosovës. BE-ja ka luajtur rol aktiv në arritjen e kësaj, në koordinim me SHBA-në dhe KFOR-in. Situatat vazhdon të mbetet e brishtë dhe presim nga të gjitha palët që të frenohen e ta ruajnë qetësinë. T’i evitojnë veprimet që kanë potencial për të kthyer përshkallëzimin apo dhunën. EULEX-i vazhdon ta monitorojë situatën. Zhvillimet e javëve të fundit kanë treguar se sa e rëndësishme është të bëhet progres i vërtetë dhe i pakthyeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e bazuar në propozimin e BE. Kjo kërkon edhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të arritura nga dialogu që të bëhen pa vonesa, duke filluar me rikthimin e serbëve të Kosovës nëpër institucione dhe fillimin e diskutimit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. BE do të punojë me të dyja palët për këto çështje”, ka thënë Massrali.

/rtsh.al/