Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike njësoj si në muajit shtator dhe tetor.
Me uljen e temperaturave dhe festat e fundvitit konsumi i energjisë do të rritet ndjeshëm dhe për këtë ministrja Balluku tha se çelësi i suksesit është kursimi duke bërë që deri më tani nuk është aplikuar fasha 800 kWh, e vlefshme nga 1 shtatori deri më 31 dhjetor.
Balluku kërkoi angazhimin e qytetarëve për të kursyer energji, në mënyrë që në dhjetor të kurset 5 % energji në rang kombëtar për përballimin e situatës energjetike edhe kur të mos ketë më reshje.
“Kemi pasur një muaj më prurje në Kaskadën e Drinit. Në muajin dhjetor baseni i Fierzës është në kuotën 290 metra. Rezerva energjetike sot ka arritur në një total 919 gWh duke bërë që në Dhjetor të kemi konservuar 131 gWh plus. Pas një thirrje që kemi bërë në muajin shtator për shkak të situatës së vështirë dhe çmimeve të larta të importit dhe thatësirës, qytetarët i janë përgjigjur kësaj thirrje për të konsumuar më pak energji dhe për të kursyer. Ne e kemi vlerësuar reagimin tuaj dhe pavarësisht se është vendosur një fashë nga ERE e cila mund të futej në funksion kur ne të kishim vështirësi, prej 800 kWh nuk është aplikuar kurrë deri më sot.
Kjo për shkak të përmirësimit të situatës. Duhet thënë që kursimi muajt shtator tetor ka qenë i konsiderueshëm dhe na ka dhënë një dorë për të kaluar një situatë të tillë. Nëntorin e kemi mbyllur me 2 % kursim ën rang vendi, ndërkohë që në tetor e kemi mbyllur me 7 % kursim energji në rang vendi Dua të kërkoj edhe njëherë angazhimin tuaj, të çdo qytetari, familjari, biznesi të vogël, që të vazhdojmë të kursejmë sepse do të jetë e vetmja mënyrë për të mos aplikuar fashën 800 kWh. 2 % është një kursim i vogël dhe nuk na ndihmon. Administrata dhe institucionet në muajin nëntor ka kursyer në total 20 %. Kjo është një shifër që ka impakt në sistemin tonë energjetik. Para kemi javët e festave, konsumi do të rritet ndjeshëm. Target i qeverisë është kursimi 5 % i energjisë në rang kombëtar. Kjo duhet menaxhuar nga të gjithë së bashku. Ndaj u bëj thirrje të kursejmë të gjithë së bashku”, tha Balluku.